BE jep 560 milionë euro për pastrimin e oqeaneve
Bruksel, 6 tetor - Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini ka bërë të ditur se blloku do të japë 560 milionë euro, rreth 660 milionë dollarë, për të trajtuar ndotjen e oqeaneve.
"Sot jam krenare të njoftoj në emër të Bashkimit Europian se Komisioni po ofron 560 milionë euro për 36 veprime konkrete për oqeanin tonë. Këto veprime shtrihen nga bashkëpunimi global me partnerët tanë e deri në gjeste të vogla të jetës sonë të përditshme."
Duke folur në një samit për Mbrojtjen e Oqeaneve në Maltë, Mogherini tha se ato janë një nga burimet më të mëdha botërore, duke mbështetur miliona vende pune.
"Miliona vende pune dhe mjete jetese varen nga oqeani ynë. Në botën tonë të globalizuar, 90 për qind e tregtisë botërore lidhet me detet. Sot deti nuk është kufiri, kufiri siç ka qenë për mijëra vjet. Sot deti është porta jona drejt botës."
Mogherini tha se detet janë gjithnjë e më të sëmurë dhe të pasigurt, ndërsa vuri në dukje se deri në vitin 2050 oqeanet do të kenë më shumë plastikë sesa peshq.
Rritja e nivelit të deteve tashmë është duke detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të emigrojnë. Ndërkohë, oqeanet po bëhen një kërcënim për sigurinë.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve, gati 36 milionë euro do të shkojnë drejtpërsëdrejt në bregdetin juglindor të Afrikës për të luftuar piraterinë, veçanërisht përgjatë bregdetit somalez.
Përveç kësaj, BE-ja njoftoi heqjen graduale nga përdorimi deri në fund të vitit 2017 të të gjitha gotave plastike njëpërdorimshme.