18 Nëntor 2024

BE inauguron shtëpitë e reja për familjet e kthyera egjiptase

Klinë, 15 shtator - Sot Zyra e BE-së, në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), dhe Komunën e Klinës, ka bërë të ditur kthimin e 12 familjeve egjiptase nga kampi Konik në Podgoricë, Mal të Zi.

Pas 15 vjet jetese në kushte shumë të vështira, këto familje janë zhvendosur në shtëpi të reja që janë ndërtuar për ta në kuadër të projektit të përbashkët. Familjet e kthyera do të kenë po ashtu një pako të harmonizuar kthimi, e cila do t’u ndihmojë atyre që të integrohen në shtëpitë e tyre të reja.  

Me këtë numri i përgjithshëm i familjeve të kthyera me ndihmën e këtij projekti arrin në 38.  Njëzet e dy familje të tjera planifikohen të kthehen gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.  

Christof Stock, shef i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, tha me këtë rast se ndërtimi i kësaj lagjeje është një e arritur tjetër e përpjekjeve tona të përbashkëta për të mbyllur kampet Konik dhe Suto Orizare dhe për të ndihmuar kthimin dhe riintegrimin e atyre që kanë jetuar në kushte shumë të vështira jetese atje për një kohë kaq të gjatë.

"Kthimi nuk nënkupton vetëm një çati mbi kokat e tyre, mirëpo edhe pranimin nga komuniteti, qëndrimin e autoriteteve lokale dhe mirëqenien e të kthyerve."

"Kjo nënkupton arsimimin e fëmijëve, qasjen në kujdes shëndetësor dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe krijimin e raporteve dhe mundësive të reja. Shpresoj se të gjithë ju do t’i bashkoni përpjekjet dhe do ta bëni këtë kthim dhe riintegrim një storie suksesi", theksoi Stock.
    
Stock është shoqëruar nga Ministri Dalibor Jevtić i MKK, Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, përfaqësuesit e qeverisë së Malit të Zi, UNHCR, familjet e kthyera dhe të tjerë.    

Kjo asistencë është pjesë e projektit të përbashkët BE-MKK në vlerë prej 2 milionë eurosh, i cili mbështet kthimin dhe riintegrimin e familjeve rome, ashkali dhe egjiptase nga Mali i Zi dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Qëllim i këtij projekti nuk është vetëm rilokimi fizik i këtyre familjeve në shtëpi të reja, mirëpo edhe dialogu ndër-etnik, trajnimi profesional, ofrimi i qasjes në shëndetësi dhe arsim formal, ofrimi i mbështetjes ligjore dhe projektet për zhvillimin e komuniteteve.

Ky projekt implementohet nga UNHCR, në bashkëpunim me autoritetet komunale përkatëse në Kosovë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)