BE i jep Kosovës edhe 63.9 milion euro
Prishtinë, 3 shkurt - Bashkimi Evropian ofron edhe 63,9 milion euro për zhvillimin socio-ekonomik dhe institucional të Kosovës.
Këto mjete janë dhënë në kuadër të programit vjetor të Instrumentit të para-antarësimit 2010 të Komisionit Evropian, ndërsa marrëveshja përkatëse është nënshkruar sot nga shefi i Zyrës ndërlidhëse të KE-së, Renzo Daviddi dhe nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Daviddi ka thënë se paratë do të shpenzohen për përforcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, reformës së administratës publike, komuniteteve dhe arsimit, adresimin e çështjeve socio-ekonomike siç janë financat publike, zhvillimi ekonomik rajonal, përfshirë këtu infrastrukturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Ky program gjithashtu sipas tij përqendrohet në përafrimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane, përshirë këtu veterinarinë dhe sigurinë e ushqimit, reformat e sektorit të energjisë dhe mjedisin.
Komisioni Evropian dhe qeveria bashkërisht vendosin se cilat projekte do të financohen me këto mjete.
Ne tani kemi përmbushur plotësisht zotimin tonë nga konferenca e donatorëve e korrikut 2008. Por, ç'është më e rëndësishme, ne jemi siguruar se fondet e IPA-së janë shpenzuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës", ka thënë më këtë rast Daviddi.
BE-ja ka ndarë gjithsej 565,1 milion euro për Kosovën për periudhën 2007 deri 2012.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së IPA-s ka thënë se viti 2011 do të jetë viti i përmbushjes së kritereve të nevojshme për Liberalizimin e Vizave, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të lirshëm të udhëtojnë kudo në Evropë pa viza.
"Qeveria e ardhshme e Kosovës procesin e Integrimit Evropian do ta ketë prioritet në formën më absolute, në mënyrë që Kosova të jetë kampione në realizimin e Agjendës Evropiane në afatin sa më të shkurtër kohor", theksoi kryeministri Thaçi.
Perspektiva Evropiane e Kosovës sipas tij është shumë e qartë dhe ndihma e vazhdueshme e BE-së do të kontribuojë ne realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të kësaj perspektive të sigurt.
Thaçi me tutje ka vlerësuar se Instrumenti i Para Anëtarësimit (IPA) vazhdon të jetë një instrument kyç për financimin e reformave të nevojshme drejt përmbushjes së standardeve Evropiane.
Deri më sot IPA sipas tij ka qenë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili ka mbështetur dhe financuar ndërtimin e institucioneve dhe reformat strategjike të vendit.
IPA po ashtu ka mbështetur aktivitetet të cilat kanë ndihmuar ndërtimin dhe fuqizimin e demokracisë dhe ekonominë e tregut.
"Në aspektin e përmbushjes së kritereve politike, IPA 2010 do të financojë projekte në fushën e reformës së administratës publike, sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe kthimit dhe ri-integrimit të komuniteteve", ka thënë ai në vazhdim.
Në aspektin e përmbushjes së kritereve ekonomike, IPA 2010 do të financon reformën e financave publike dhe zhvillimit ekonomik rajonal.
Sa i përket përmbushjes së standardeve Evropiane, IPA 2010 sipas Thaçit do të financojë projekte në fushën e bujqësisë, mjedisit, energjisë dhe edukimit.
Ai ka potencuar se projektet e financuara nën IPA 2010 janë plotësisht në harmoni me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe reflektojnë sinkronizimin e agjendës zhvillimore me agjendën Evropiane të Kosovës.
"Reformat që janë paraparë të financohen nën IPA 2010 duhet të ndiqen me shpejtësi dhe rigorozitet, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në BE dhe një jetë më të mirë për qytetarët", ka deklaruar në fund Thaçi.