BE: Hetimet për korrupsionin do të vazhdojnë
Prishtinë, 26 maj - Zëvendës shefi i misionit të BE së për sundimin e ligjit, Roj Riv (Roy Reeve), thotë se procesi i hetimeve për rastet, siç i quajti, të mëdha të korrupsionit në Kosovë do të vazhdojë.
Ai paralajmëroi se në javët e ardhshme EULEX i do ta bëjë të qartë se nuk ka për objektiv vetëm zyrtarët e lartë ose ministrat e qeverisë së Kosovës.
Riv i tha BBC-së se hetimi në njërën nga ministritë e qeverisë së Kosovës është vetëm fillimi i "një beteje të gjatë dhe të vazhdueshme" dhe të përbashkët me institucionet e Kosovës, me qëllim të luftimit të korrupsionit në institucionet e qeverisë ose në ato private.
Riv tha se "ka gjykime të vazhdueshme" në rastet e korrupsionit kundër zyrtarëve lokalë, atyre të policisë dhe të tjerë. "Ky është fillimi i një beteje të gjatë dhe të vazhdueshme të përbashkët me qeverinë e Kosovës me qëllim të luftimit të këtij lloji të korrupsionit në institucionet e qeverisë ose në ato private".
Ai tha se do të shihen "hetime zyrtare që do të hapen". Duke folur për hetimet që po zhvillohen për krimet e luftës, Riv tha se misioni i tij nuk ka dëshmi për të ashtuquajturën "shtëpi e verdhë" në Burrel të Shqipërisë, të cilat do të sugjeronin se mund të ketë ndodhur diçka. Ai tha se së shpejti do të kërkohet nga vendet fqinje të Kosovës që të ndihmojnë në vazhdimin e hetimeve për krimet e luftës.