BE fonde Kosovës si Republic of Serbia
Prishtinë, 20 mars - Kosovën nuk po e ndihmon asgjë në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me Bashkimin Evropian, as marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel, as deklarimet e shpeshta të zyrtarëve evropianë e vendorë se Kosova ka perspektivë evropiane.
Në fakt, zyrtarët serbë rregullisht deklarojnë se rruga e vetme për Kosovën drejt BE-së kalon përmes Serbisë, dhe duket sikur ata kanë të drejtë të paktën sa u përket fondeve evropiane.
Në dokumentet zyrtare, të cilat janë publikuar nga Zëri, përfshirë edhe ato që janë publike dhe gjenden në faqet e internetit të Komisionit Evropian, pranë fjalës Pristina shkruhen inicialet RS (Republic of Serbia) dhe më pas titulli i projektit për të cilin Brukseli ofron përkrahje financiare.
Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë dhe Bruksel nuk kanë qenë në gjendje që gjatë së hënës të qartësojnë çfarë nënkuptojnë këto iniciale.
Sidoqoftë, ato është shumë e lehtë të dëshifrohen duke marrë parasysh inicialet që shkruhen në dokumentet për projekte që i financohen Serbisë, pasi inicialet RS përdoren krahas Beogradit dhe të njëjtat edhe krahas Prishtinës.