BE fokusohet tek "Ekonomia e kaltër"
Bruksel, 9 maj - Komisioni Europian paraqiti dje një plan veprimi për të nxitur risitë në "ekonominë e kaltër", në mënyrë që të ndihmojë shtetet anëtare të përdorin në mënyrë të qëndrueshme burimet detare, duke përfituar rritje ekonomike dhe hapur më shumë vende pune.
"Ne do të punojmë sot, në mënyrë që brezi i ardhshëm i europianëve të ketë njohuri dhe aftësi për të menaxhuar më mirë detet tona dhe të nxjerrë përfitime të plota, duke respektuar ekuilibrin e ekosistemit të detit," tha Maria Damanaki, Komisionere për Çështjet Detare dhe Peshkimit.
Plani i veprimit parashikon krijimin e një platforme informative për kërkimet detare në BE, për ndarjen e të dhënave tashmë të disponueshme dhe përfundimin e një harte të detajuar të shtratit të detit të ujërave të Europës deri në vitin 2020.
Rritja Blu është fokusi i "Horizont 2020", projekti kornizë i BE-së për hulumtim dhe inovacion. BE-ja tashmë është duke përkrahur hulumtimet detare me rreth 35 milionë euro (49 milionë dollarë) në vit, dhe ka një buxhet të veçantë 145 milionë euro për vitet 2014-2015.