BE financon projekte të reja të infrastrukturës në komuna
Prishtinë, 2 shkurt - Zyra ndërlidhëse e KE-së të mërkurën ka prezantuar projektet e reja të BE-së për përmirësimin e infrastrukturës në Kosovë.
Projektet në vlerë totale prej 27 milion euro, do të implementojnë 18 skema të infrastrukturës komunale, përmirësojnë shërbimet e ujësjellësit në komunën e Mitrovicës, Zveçanit, Skenderajit dhe Vushtrrisë, si dhe do të përmirësojnë furnizimin me energji në mbarë Kosovën.
Komunat e reja të Graçanicës, Kllokotit dhe Ranillugut, si dhe Vitia dhe Kamenica do të kenë ndërtesa të reja moderne komunale si rezultat i programit në implementim e sipër për infrastrukturë ekonomike dhe sociale në komuna.
Në një numër komunash do të ndërtohen shkolla të reja dhe salla sportive, ndërsa në Zubin Potok do të ndërtohet një qendër e re shëndetësore.
Në fshatin Zllakuqan të Komunës së Klinës do të ndërtohet një urë me gjatësi 37 metra për përmirësimin e qasjes në fshatrat ku banojnë pakicat, ndërsa projekti në Obiliq do të mbulojë rehabilitimin e rrugëve lokale.
Me këtë program do të bëhet edhe avancimi i shërbimeve të ujësjellësit dhe sanitarisë në Skenderaj dhe në Leposaviq. Këto kontrata do të ndihmojnë në avancimin e reformave dhe ndërtimit të kapacitetit të vetëqeverisjes lokale përmes përmirësimit të infrastrukturës ekonomike dhe sociale të komunave.
Një kontratë tjetër e rëndësishme ka për synim dyfishimin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës si dhe furnizimin e pandërprerë me ujë për rreth 250.000 qytetarë.
Dy projekte në sektorin e energjisë do të kenë si pikësynim furnizimin më stabil me energji elektrike në Kosovë, ku me kontratën e parë do të bëhet ripërtëritja e nënstacionit Prizren 2 me një transformator të ri dhe me pajisje të voltazhit të lartë, ndërsa projekti i dytë do ti ofrojë pajisjet e TI-së shumë të nevojshme për Rrjetin e Transmisionit në Kosovë për menaxhimin e duhur të furnizimit me energji në rajon.
Këto projekte janë vazhdimësi e investimeve të Bashkimit Evropian për të sjellë Kosovën më afër standardeve evropiane në sektorin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.