BE do të nxisë rritjen ekonomike
Bruksel, 14 maj - Në shumë vende jugore anëtare të BE-së ekonomia po shënon rënie dhe po rritet papunësia.
Këto shtete po i ulin shpenzimet për të rikuperuar deficitin buxhetor dhe për ta mbajtur atë nën kontroll. Për këtë shtetet e BE-së, veçanërisht 17 anëtarët e Unionit Monetar vazhdimisht janë zotuar për ruajtjen e euros.
Presidenti i ri i Francës, Francois Hollande, në fushatën elektorale e dënoi kursin e masave të kursimeve duke premtuar programe të reja koniunkturore.
Njëkohësisht socialisti Hollande deklaroi të premten (11.05.2012)në Paris, se ai do t\'u përmbahet objektivave për buxhetin dhe do ta ulë në 3% të produktit bruto në vend kuotën e borxheve të reja të Francës.
Hollande do ta ratifikojë Paktin Fiskal të BE-së, pasi ai të jetë plotësuar me një pakt të rritjes ekonomike. Këtë pakt tani do ta mbështesë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, siç deklaroi ajo pas zgjedhjes së Hollandes në fund të prillit. Kësisoj ajo u referohet vendimeve të samiit të BE-së në mars të këtij viti, në të cilin u gjet formula e kursimeve, që njëkohësisht nxit edhe zhvillimin.
Ndër të tjera kjo nënkupton kryesisht reformat strukturore në tregun e punes dhe në sistemin arsimor në vendet anëtare të BE-së, por këto masa nuk duhet të kenë kosto shtesë.
Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso, tha lidhur me diskutimin pë rprogramet koniunkturore: \"S\'ka nevojë që ne të bëjmë shpikje gjithnjë nga e para\".
Me rastin e 9 Majit, ditës së Evropës Barroso foli përpara studentëve të Universitetit të Firences: \"Për të nxitur rritjen ekonomike, ne kemi nevojë për konsolidimin e buxhetit, reformat strukturore dhe investimet. Nuk bëhet fjalë vetëm për kursime, apo investime, por për: konsolidim, reformë dhe investime.\"