BE diskuton shpëtimin e bankave që kanë rrezik falimentimi
Bruksel, 6 tetor - Pas krizës financiare në Greqi, Evropa ka filluar të diskutojë shpëtimin e bankave që kanë rrezik falimentimi.
Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian u mblodhën në Luksemburg dhe tërhoqën vëmendjen mbi rrezikun e shndërrimit të krizës në tregjet financiare në një krizë bankare.
Shefat e financave të BE-së theksuan se për uljen e pasigurisë dhe përforcimin e bankave nevojitet me doemos një bashkëpunim i koordinuar.
Deri në takimin e muajit të ardhshëm, ministrat e financave të Evropës do të hartojnë një raport që përmban gjendjen e bankave në vendet e tyre dhe masat që mendojnë të marrin gjatë periudhës në vijim.
Ministri i Financave të Britanisë së Madhe, Xhorxh Ozborn u shpreh se disa banka mund të kenë nevojë për paketa shpëtuese. Si shembull për këtë Ozborn tregoi Bankën Dexia, e cila u jep kredi bashkive në Francë dhe në Belgjikë.
Bëhet e ditur se kjo bankë ka një kredi të keqe mjaft të madhe edhe në Greqi.
Ndërkaq, ministrat e financave të Unionit e shtynë për nga gjysma e muajit të ardhshëm lëvrimin e këstit të 6-të prej 8 miliardë eurosh të paketës me ndihmë ekonomike për Greqinë.
Kurse personeli i administratës dhe punëtorët në Greqi sot u hodhën në një grevë të përgjithshme prej 24 orësh, me qëllim protestimin e masave të reja shtrënguese të Athinës zyrtare.