BE dhe UNDP lansuan Programin e ri Rajonal për Demokraci Lokale
Prishtinë, 20 qershor - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansuan sot Programin e ri Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD).
Ngjarja mblodhi mysafirë të shquar dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile, medias, institucioneve të nivelit qëndror, si dhe kryetarë dhe përfaqësues tjerë komunal për të diskutuar gjendjen e partneritetit mes qeverive lokale dhe OshC-ve dhe mënyrat për ngritjen e demokracisë pjesëmarrëse lokale dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga OSHC-të.
Luigi Brusa, Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkësisë Evropiane në Kosovë theksoi rëndësinë e fuqizimit të shoqërisë civile përmes sigurimit të një mjedisi të drejtë dhe transparent, duke përfshirë sistemin transparent të financimit dhe shpërndarjes së projekteve, që do tu mundësonte atyre pjesëmarrje aktive në vendimmarrje në komunat e tyre.
Alessandra Roccasalvo, zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së e vuri në pah rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile që marrin pjesë aktivisht në procesin e ndryshimit së bashku me autoritetet lokale dhe të tjera. Roccasalvo shtoi se komunat dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë në gjendje të punojnë së bashku në mënyrë sistematike, konsultative dhe transparente.
Fjolla Çeku-Sylejmani, zyrtare për Informim dhe Komunikim te Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se programi i ri ReLOaD do të punojë së bashku me pesë komuna të përzgjedhura në Kosovë të cilat do të bashkëpunojnë me OshC-të lokale përmes një skeme grantesh konkurruese, duke zgjeruar marrëdhëniet mes komunës dhe shoqërisë civile lokale, si dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve të OShC-ve.
Sipas saj, programi ReLOaD është pra një vazhdim i përpjekjeve të UNDP-së dhe BE-së për të mbështetur komunat për t\'u bërë më të përgjegjshme ndaj komuniteteve të tyre dhe për të përmirësuar shërbimet publike që banorët e tyre i kërkojnë dhe i meritojnë.
Duke folur në emër të shoqërisë civile, Valdete Idrizi, Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CiviKos, ndau pikëpamjet e saj mbi rëndësinë e kësaj iniciative që ndihmon marrjen e vendimeve në nivel lokal. Sipas saj, programi ReLOaD synon të kontribuojë në koordinimin e donatorëve dhe të lejojë një bashkëpunim më të mirë të donatorëve dhe OShC-ve dhe prandaj është i mirëseardhur nga shoqëria civile.
Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) është një iniciativë rajonale tre-vjeçare e financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga UNDP në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që përqëndrohet në fuqizimin e partneritit mes qeverive lokale dhe organizatave të shoqërisë civile duke ngritur një model të suksesshëm të financimit të OSHC-ve nga buxhetet komunale në mënyrë transparente dhe të bazuar në projekte.
Në Kosovë, projekti do të përzgjedhë dhe do të punojë me pesë komuna përmes një skeme grantesh për OSHC-të, me qëllim të përforcimit të demokracisë pjesëmarrëse në nivel lokal, zgjerimit të marrëdhënieve mes qeverive lokale dhe OSHC-ve, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të OShC-ve.