BE dhe FMN të gatshme të ndihmojnë Ukrainën
Kiev, 26 shkurt - Ekonomia e Ukrainës duket se është në prag të kolapsit, pas zhvillimeve historike këtë fundjavë që çuan në largimin presidentit të mbështetur nga Rusia, Viktor Janukoviç.
Por agjencitë përëndimore të kredive që ishin të pranishme në takimin e G20-ës në Australi thonë se ato janë të gatshme të japin ndihmën e tyre.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se është i përgatitur të japë mbështetjen për Ukrainën, por thotë se reformat janë parakusht për çdo ndihmë financiare.
Në Sheshin Pavarësia të Kievit, protestat e dhunshme të javëve të fundit janë zëvendësuar me lule.
Disa tregtarë kanë rihapur kioskat e tyre, ndërsa vullnetarët e maskuar bëjnë roje në bankat më të mëdha të Kievit.
Por megjithë përpjekjet e banorëve për tiu kthyer normalitetit, perspektiva për ekonominë e vendit është e zymtë.
Christine Lagarde është drejtore Fondit Monetar Ndërkombëtar.
"Nëse autoritetet ukrainase do të kërkojnë ndihmën e FMN-së mbi politikat, mbështetjen financiare apo reformat ekonomike, natyrisht që ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë."
Zyrtarët e BE-së thonë se ndihma e menjëhershme prej rreth 800 milionë dollarësh mund të jetë në dispozicion, dhe mund të pasohet me një tjetër paket ndihmash financiare prej dy miliardë dollarësh në qoftë se Ukraina vendos të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Por ekonomistët thonë se propozimet për integrimin e Ukrainës në BE mund të jenë të nxituara.
Alastair McCaig, analist i tregjeve në kompaninë IG, thotë se para anëtarësimit në BE Ukraina duhet të bëjë reforma të mëdha.
"Çështja është se sa i vendosur është ky vend në lidhje me integrimin në BE. Unë mendoj se do të ketë shumë vështirësi në rrugën e tyre drejt BE-së. Mendoj se Ukraina duhet të zgjidh shumë probleme të menjëhershme para se të mendoj për të ardhmen e saj të largët."
Ish- zëvendës Ministri i Jashtëm i Ukrainës Valerij Chalyi thotë se Ukraina nuk do shkëmbejë sovranitetin e saj për ndihma financiare. Por ai thotë se vendi është i gatshëm për të punuar me partnerët e tij perëndimorë.
"Ne nuk do të shkëmbejmë sovranitetin tonë për para. Kjo është shumë e rëndësishme. Për këtë arsye unë nuk kam asjnë vizion tjetër, përveç bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë."
Pavarësisht nga e ardhmja e saj e pasigurtë me partnerin e saj të mëparshëm, Rusia vazhdon të ketë një prani të fortë në diskutimet mbi të ardhmen e Ukrainës. Moska thotë se do të pezullojë një këst prej dy miliardë dollarësh nga një marrëveshje e mëparshme me Ukrainën për ndihma emergjente. Duke patur parasysh rritjen e deficitit të saj tregtar dhe buxhetor, analistët thonë se ish-Republika Sovjetike ka nevojë për rreth 35 miliardë dollarë për të qenë gjendje të funksionojë normalisht.