16 Janar 2025

BE dhe FMN, paketë ndihmash për Qipron

Bruksel, 17 mars - Ministrat e financave të Bashkimit Europian (BE) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë arritur një marrëveshje për të ndihmuar Qipron me një fond me vlerë 13 miliardë dollarë për të shmangur falimentimin.
 
Marrëveshja u arrit në Bruksel pas bisedimeve, që zgjatën rreth 10 orë, mes ministrave dhe përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në këmbim, udhëheqjes grekoqipriote i është kërkuar të reduktojë deficitin, të tkurrë sektorin bankar dhe të rrisë taksat.

Bankat grekoqipriote u prekën maksimalisht nga kriza financiare e Greqisë, që ka marrë ndihma madhore nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja.
 
"Eurogrupi e konsideron ndihmën financiare për Qipron si një garanci për të ruajtur stabilitetin financiar në Qipro dhe në eurozonë në tërësi", deklaroi Jerome Dijsselbloem, presidenti i Eurogrupit, pas gati 10 orë bisedimesh.
 
Në këmbim të paketës së shpëtimit, Qiproja do të shkurtojë defiçitin, do të tkurrë sektorin bankar, do të rrisë taksat dhe do të privatizojë asetet shtetërore.
 
“Ky ka qënë një proces mjaft i vështirë, por rezultatet e arritura sot i afrohen synimit të mbajtjes së stabilitetit financiar dhe të kontrollit të borxhit në Qipro”, tha Olli Rehn, komisioneri i BE-së për çështje monetare.
 
Qiproja është mbërthyer në një krizë të rëndë financiare nga situata në Greqi.

Shefja e FMN-së, Kristin Lagard, e cila mori pjesë në bisedime, deklaroi më herët se “Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk dëshiron një ndihmë paraprake, por diçka afatgjatë, që të zgjasë dhe të jetë e qëndrueshme”.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një tatim mbi depozitat bankare me qëllim që të garantojë kontributin e investitorëve në këtë ndihmë.

Njerëzit me më pak se 100.000 euro në bankat e Qipros së Jugut do të paguajnë një taksë prej 6,75 për qind, ndërsa ata me më shumë gjendje në llogarinë e tyre 9,9 për qind. Kjo pritet të rrisë 5,8 miliardë euro të ardhurat shtesë.
 
Qeveria kërkoi ndihmë ndërkombëtare për shkak se bankat qipriote pësuan humbje të mëdha nga ristrukturimi borxhit të Greqisë.

Vendi-ishull, i cili ka qenë i mbyllur nga tregjet financiare ndërkombëtare që nga maji 2011, kishte kërkuar fillimisht 22 miliardë dollarë ndihma.
 
Megjithëse paketa për Qipron është disa herë më e vogël se ajo që iu dha Greqisë apo Irlandës, ndihma konsiderohet e rëndësishme për të ardhmen e eurozonës, pasi një falimentim edhe në një vend të vogël mund të trondisë tregjet financiare dhe të minojë besimin e investitorëve në vende të tjera.
 
Qiproja është shteti i pestë anëtar që siguron një paketë shpëtimi  nga 16 vendet e eurozonës gjatë krizës tre-vjeçare të borxhit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)