BE: Bullgaria e para për parregullsi financiare
Sofje, 18 korrik - Brukseli rendit Bullgarinë në vendin e parë për parregullsitë financiare. Po të krahasohet me një vit me parë, parregullsitë kanë një rritje prej 134 për qind.
Në raportin e Komisionit Evropian, të publikuar nga media bullgare, saktësohet se parregullsitë nuk janë shpërdorime dhe mashtrime, por prishje e disiplinës financiare të Bashkimit Evropian.
Komisioni pati vërejtje të veçanta në shfrytëzimin e fondeve të programeve FAR, ISPA dhe SAPARD, ku sipas këtij të fundit, Bullgaria duhet të kthejë në buxhetin evropian 41 milionë euro teksa të gjithë anëtarët e tjerë vetëm 20 milionë euro.
Brukseli konfirmon se Bullgaria nuk ka vepruar në mënyrë parandaluese, por ka pritur revizionin duke pranuar më pas parregullsitë.