BE bën plane të fshehta për shpëtimin e euros
Bruksel, 6 qershor - Gazeta gjermane Welt am Sonntag pati bërë fjalë për një plan të fshehtë për Evropën.
Sipas saj për të po punojnë në prapaskenë presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, shefi i Eurogrupit Jean-Claude Juncker dhe presidenti i Bankës Qendrore Evropian (ECB) Mario Draghi.
Mirëpo plani i përfaqësuesve udhëheqës të Bashkimit Evropian nuk është aq i fshehtë. Fakt është që në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së më 23 maj këta të katër u ngarkuan me detyrën, që deri në samitin e rregullt të radhës në fund të muajit të shqyrtonin mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të krizës.
Që atëherë ajo është acaruar edhe më shumë: Problemi kryesor nuk duket të jetë më çështja, nëse Greqia mbetet në bashkimin monetar, por nëse Spanja do të jetë në gjendje të shpëtojë bankat e saj në falimentim e sipër.
Me sa duket duke e pasur fjalën për Spanjën, Barroso bëri fjalë për shembull për idenë e një \"bashkimi bankar me mbikqyrje financiare të njësuar dhe me sigurim depozitash të përbashkët.\"
Komisari i BE-së për monedhën Olli Rehn la të kuptohet gjatë një bisede me ministrin e ri të Financave të Francës Pierre Moscovici, se është e rëndësishme të mendohet për një \"rikapitalizim të bankave\".
Fjala ishte për atë, që fondet e shpëtimit të euros EFSF dhe ESM të ndihmojnë bankat, që nuk po i mbajnë më këmbët, për shembull ato spanjolle. Me siguri, këto fjalë e kanë shqetësuar Berlinin.