BB vazhdon mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 22 maj - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot në takim Gino Alzetta, drejtor ekzekutiv, përfaqësues i Kosovës në Bankën Botërore.
Me këtë rast, Guvernatori Hamza e ka njoftuar Alzetta mbi zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare në vendin tonë me fokus të veçantë në progresin e arritur në projektet që BQK-ja është duke i implementuar përmes mbështetjes financiare dhe teknike të Bankës Botërore.
Duke vlerësuar performancen e mirë makroekonomike të vendit, Alzetta ka nënvizuar gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e mëtejme të zhvillimit institucional e ekonomik të Kosovës me fokus të veçantë në rritjen e mëtejme të sektorit privat, edukimit dhe trajnimit të fuqisë punëtore, si dhe sektorit të energjisë.