BB skeptike se në Kosovë do të ketë rritje 3 për qind
Prishtinë, 14 janar - Vit i zymtë për Kosovën pritet të jetë 2013-shi. Kriza në Eurozonë, nga e cila edhe vendi ynë është duke u prekur mund të ndryshojë parashikimet për rritjen ekonomike dhe për realizimin e disa projekteve të mëdha shumëvjeçare.
Shefi i Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Kosovë, Jan Peter Olters, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se në Kosovë parashihet të ketë rritje 3.3 për qind, por edhe kjo është shumë diskutabile.
Madje, Olters nuk e ka përjashtuar mundësinë që kriza të ketë ndikim edhe në projektin shumëvjeçar të Termocentralit Kosova e Re.
Mirëpo, çelës kyç të ndryshimeve pozitive që pretendon Kosova e ka pa dyshim reformën në institucione dhe administratë publike.
Sa i përket uljes së papunësisë, Olters, ka thënë se janë marrë disa masa, por efekti i tyre duhet të shihet në vitet në vijim.
Këtë vit, Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë sektorin e energjisë, bujqësinë, arsimin, kadastrën dhe disa institucione të tjera.