BB rëndit Kosovën në vendin e 64 në Të Bërit Biznes 2017"
Prishtinë, 25 tetor - Raporti i Bankës Botërore (BB) për të Bërit Biznes 2017 i publikuar sot konfirmon progresin e arritur nga Republika e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rangimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 64-të sa është ranguar me revidimin e raportit të mëparshëm.
Raporti zyrtar i BB për Të Bërit Biznes 2016 Kosovën e kishte ranguar në vendin e 66-të).
Dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes vlerësojnë qeverisjen dhe lehtësinë e të bërit biznes në një mori të fushave ligjore, rregullatore dhe operacionale.
Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për Fillimin e një Biznesi ku nga vendi i 27-të në vendin e 13-të në botë, Pagimin e Tatimeve ku nga vendi i 77-të në vendin e 43-të në botë dhe Tregtia Përtej Kufijve ku nga vendi i 59-të në vendin e 51-të në botë.
Ky përmirësim është arritur kryesisht përmes shkurtimit të afateve, procedurave dhe kërkesave për regjistrimin e bizneseve pranë Agjencisë së Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), funksonalizimin e sistemit elektronik të pagimit të tatimeve pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe funksionalizimit të sistemit ASYCUDA nga Doganat e Kosovës.
Këto përmirësime janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.
Përveç përmirësimit të rangimit botërore në indikatorët përkatës, përmirësimet në këta indikatorë janë ngushtë të ndërlidhur me reduktimin e korrupsionit, prosperitetin ekonomik si dhe efikasitetin e përgjithshëm në qeverisje.
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset si dhe me mbështetjen e donatorëve partner në këtë proces, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Programin e USAID Partneritetet për Zhvillim, do të vazhdojnë të fokusohen në reforma më të thella dhe më gjithëpërfshirëse në të ardhmen, duke përdorur rezultatet nga Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2017 si platformë për përmirësim të mëtutjeshëm.
Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë respodentët por edhe qytetarët e interesuar të marrin pjesë në anketat e të Bërit Biznes nga Banka Botërore që janë burim i rëndësishëm i informacionit gjatë përgatitjes së Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, në mënyrë që të ndihmojnë qeverinë në vlerësimin e performancës së saj, verifikimin e reformave si dhe rritjen e përgjithshme të sasisë dhe cilësisë së informatave në dispozicion të Bankës Botërore gjatë përgatitjes së Raportit për të Bërit Biznes në vitet e ardhshme.
Për informata të detajuara, gjeni të bashkangjitur një prezantim tabelar të rangimit të përgjithshëm dhe sipas indikatorëve të Kosovës në raportin e fundit.