BB: Niveli i lartë i borxhit shqiptar rrezikon financat publike
Tiranë, 5 maj - Shqipëria ka një borxh mesatar publik prej 62 % të Prodhimit të Brendshëm Brutto (PBB ose GDP). Banka Botërore në Takimet e Pranverës 2013 me FMN konstaton se borxhi mesatar publik pothuajse është dyfishuar në Europën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor në krahasim me vitin 2008, duke arritur nga 28,3% në atë vit në 45,5 % në vitin 2012, shkruan Deutsche Welle.
\"Borxhi mesatar publik është në nivele me mundësi rreziku dhe përbën një barrë të rëndë për financat publike në Hungari-76 për qind, Shqipëri- 62 për qind, Poloni - 56 për qind, Serbi- 54 për qind, Kroaci dhe Slloveni- 53 për qind konstaton Banka Botërore, në deklaratën e saj për shtyp, në përfundim të Takimeve të Pranverës, 2013, të zhvilluara në Uashington.
Në këtë listë rreziku për financat publike Shqipëria renditet e dyta. Çfarë do të thotë \"rrezik dhe barrë e rëndë\" për financat publike?
Erjon Luci, ekonomist në në Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë thotë për Deutsche Welle-n: \"Pak hapësirë për të manovruar dhe përgjigjur goditjeve të krizës dhe kosto e lartë e shërbimit për borxhin.
Shqipëria shpenzon rreth 3,3 % të PBB-së çdo vit për të paguar interesat e borxhit publik i cili mund të përdoret për qëllime më produktive si psh për investimet publike.
Vërtet, një pjesë e mirë e borxhit publik është krijuar në fakt nga investimet publike. Kthimi i tij në i formën e ritmeve më të larta të rritjes së PPB do të duhej të mbulonte pagesën e përqindjes së borxhit publik.
Ndërkohë, nëse ritmet e rritjes së borxhit publik lënë pas ato të rritjes së PPB , tregjet financiare mund të vendosin që është shumë e rrezikshme të financojnë këtë borxh nëse ai dështon të prodhojë rritje ekonomike.\"
Financat publike të Shqipërisë në prag rreziqesh të tjera
Për dr. Zef Preçi, ekspert në fushën e ekonomisë, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike, financat publike të Shqipërisë kërcënohen edhe nga mundesia e një rritjeje të pakontrolluar të inflacionit dhe çvlerësimit të pasurive kombeëtare. \"Shqipëria po vuan simptomat e krizës greko- qipriote.
Kriza është e pranishme, edhe pse ka ardhur me vonesë: ka rritje ekonomike, pothuajse afër zeros, rritje të informalitetit, të invazionit fiskal, arka e shtetit është bosh, nuk ka asnjë mundësi për të marrë borxh dhe ka mundësi të kufizuara për investime.
Nuk ka privatizime, privatizimet e mëdha janë shtyrë, nuk ka investime të huaja që të kompensojnë mosmbledhjen e taksave, pasi në tremujorin e parë të këtij viti ka një rënie në mbledhjen e taksave në raport në 2012-ën\", thotë dr. Zef Preçi për DW.
Erjon Luci, ekonomist në Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë, thotë se për largimin e rreziqeve që u kanosen financave publike nga borxhi i lartë publik, BB i ka përgatitur disa rekomandime për qeverinë e re të Tiranës, që do të dalë pas zgjedhjeve prlamentare të 23 qershorit 2013.
\"Konsolidimi fiskal është i një rëndësie të madhe për çdo qeveri për të të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe përmirësuar efiksitetin e shpenzieve publike. Konsolidimi fiskal mund të arrihet duke kontrolluar shpenzimet dhe përmirësuar të ardhurat nga mbledhja e taksave.
Kjo kërkon një vlerësim të kujdesshëm të zërave të shpenzimeve dhe efikasitetit të tyre, si edhe të kuadrit të tatimeve dhe efektshmërisë. Banka Botërore bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë që në të ardhmen, Shqipëri te ketë një kuadër të besueshëm konsolidimi fiskal\", thotë ekonomisti Erjon Luci.
Ndërsa dr. Zef Preçi mendon se në kushte të tilla \"është e domosdoshme që qeveria e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duhet të rivendosë marrëdhëniet me FMN-në për të patur marrëveshje masash antikrize, që do të ndihmonte edhe në rritjen e aftësisë thithëse të kapitalit të huaj dhe vendas në ekonominë kombëtare.
Shtyrja në kohë e disa investimeve të rëndësishme të huaja tregon se besimi i investitorëve është lëkundur dhe një marrëveshje mbështetjeje nga FMN-ja mund t\'i kontribuonte rikthimit të këtij besimi\", thotë dr. Zef Preçi .
Sipas analistëve vendas të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, cilado qoftë përbërja e qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ajo do të ketë si emergjencë reduktimin e borxhit publik, rishikimin e sistemit fiskal me synim zhvendosjen e peshës së tatim-taksave nga tatimi mbi të ardhurat dhe fitimi drejt taksës mbi konsumin dhe pasuritë e patundshme, përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike të vendit dhe të procesit të integrimin.