BB miraton kredinë prej 800 milion dollarë për gazsjellësin TANAP
Washington, 22 dhjetor - Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore (BB) ka miratuar kredinë prej 800 milionë dollarësh për projektin e Gazsjellësit Transanadollas (TANAP), që do të transmetojë gazin azerbajxhanas përmes Turqisë në Evropë.
Kreditë do të realizohen nëpërmjet Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), filial i Grupit të Bankës Botërore.
Nga kjo shumë, 400 milionë dollarë i shkojnë Korporatës Naftësjellëse të Turqisë (BOTAS), garantuese e së cilës do të jetë Republika e Turqisë me një afat maturimi 24-vjeçar; ndërsa 400 milionë dollarë të tjera derdhen në llogarinë e kompanisë së Korridorit Jugor të Gazit (SGC), me garanci të Republikës së Azerbajxhanit, për një afat maturimi 30-vjeçar.
Rreth 4 miliardë dollarë financa të jashtme janë parashikuar për projektin me vlerë totale 8,5 miliardë dollarë, ka njoftuar më parë presidenti i SOCAR, Rovnaq Abdullayev.
Krahas Bankës Botërore, mes sponsorëve të propozuar renditen gjithashtu Agjencia për Garantimin e Investimeve Shumëpalëshe dhe Infrastrukturës, Banka Aziatike e Investimeve dhe Infrastrukturës, Banka Evropianë e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Rënia e çmimit botëror të naftës dhe çmimet e ulëta të mallrave po ashtu i japin një shans projektit TANAP për të ulur buxhetin dhe për të kursyer deri në 3,2 miliardë dollarë. Buxheti investues për TANAP-in ishte vlerësuar fillimisht në 11,7 miliardë dollarë, por, falë rënies së çmimeve të naftës, kemi reduktuar buxhetin tonë në 8,5 miliardë dollarë, bëri me dije javën e kaluar drejtori i përgjithshëm i TANAP-it, Saltuk Duzyol.
Projekti TANAP është planifikuar të funksionojë në qershor 2018 me kapacitet fillestar të furnizimit prej 16 miliardë metra kub (BCM) të gazit azerbajxhanas përmes Gjeorgjisë në Turqi. Ndërsa 6 BCM të gazit do të jenë për konsum të brendshëm të Turqisë, pjesa tjetër është e destinuar për t\'u transferuar në Greqi, Shqipëri, Itali dhe më tej në Evropë.
Gjiganti azerbajxhanas i energjisë, SOCAR, zotëron 58 për qind të aksioneve të TANAP-it, BOTAS-i e Turqisë 30 për qind, ndërsa britanikja BP 12 për qind.