BB jep kredi prej 12.5 milion dollarë për kadastren e Kosovës
Prishitnë, 16 korrik - Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) është përfituese e projektit RECAP të Bankës Botërore, i vlefshëm 12.5 milion dollarë, i cili konsiston me rregullimin e plotë të sistemit të kadastrës, ngritjen e kapaciteteve, rregullimin e regjistrit të drejtave pronësore, hartimin dhe forcimin e kornizës ligjore dhe funksionalizimin e plotë të zyrave komunale kadastrale.
Sot në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, bëhet nënshkrimi i kontratës së parë që del nga kjo kredi, respektivisht kontrata për Sistemi për Pozicionimin Satelitor të Kosovës përmes GPS-it (KOPOS), nga i cili Kosova përveç se lëmin e kadastrit përfiton edhe në fusha tjera të favorshme për të gjitha institucione publike dhe private.
KOPOS mund të konsiderohet si bazë për vendosjen e teknologjive të avancuara bashkëkohore që mundësojnë nxjerrjen e fotografive satelitore për territorin e Kosovës, prodhimin e hartave, planifikimet hapësinore, zbritjen e çmimeve për shërbimet kadastrale, ndihmon e-qeverisjen, etj.
Po ashtu mundësia e shfrytëzimit civil nga ky projekt fillimisht ushtarak ndihmon zhvillime dhe avancime në rrjetin e trafikut rrugorë, në industrinë e ndërtimit, turizmit, navigacion të veturave, menaxhimin e krizave, etj.