02 Maj 2024

BB i jep Kosovës grant prej 20 milion euro dhe 4 milion kredi

Prishtinë, 11 mars - Banka Botërore sot organizon ceremoninë e nënshkrimit të Programit të Parë për Politikën e Zhvillimit të Punësimit të Qëndrueshëm.

Letrat e Marrëveshjes do të nënshkruhen në emër të Bankës Botërore nga Znj. Jane Armitage, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe në emër të Republikës së Kosovës nga Bedri Hamza, Minister i Financave në Qeverinë e Kosovës.

Kjo ceremoni nënshkrimi hap rrugën që Kosova të merr 20 milionë euro në formë granti, si dhe 4.6 milionë euro shtesë si kredi shumë të subvencionuar.

Me rastin e ceremonisë së nënshkrimit Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Jane Armitage ka thënë së kjo ceremoni e nënshkrimit hap rrugën që Kosova të pranojë rreth 30.9 milionë dollarë amerikanë apo 24.6 milionë dollarë amerikanë në formë grantesh dhe 6.3 milionë dollarë amerikanë në formë të kredisë shumë të subvencionuar.

"Ky progam e ka origjinën në kohën e Konferencës së Donatorëve në korrik të vitit 2008, atëherë kur Qeveria u kërkoi donatorëve që një pjesë e asistencës së ardhshme të ishte mbështetje për buxhetin në vend të asistencës më tradicionale teknike dhe financimeve për investime. Donatorët u pajtuan të sigurojnë fonde për mbështetje buxhetore duke shfrytëzuar kornizën e Bankës Botërore", ka deklaruar Armitage.

Donatorët përfshijnë Komisionin Evropian, USAID-in, Zvicrën, Italinë, Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën, Finlandën, Republikën Çeke dhe Estoninë, krahas kontributeve nga burimet e vetë Bankës Botërore.

Programi sipas saj u themelua në formë të një serie prej tri disbursimeve të cilat do t’i jipen Qeverisë së Kosovës në baza përafërsisht vjetore. Dy disbursimet e ardhshme do të jenë secili nga rreth €15 milionë.

Programi do të mbështesë reformat në dy shtylla: ruajtjen e një kornize stabile makroekonomike, duke rritur njëkohësisht transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e shpenzimeve publike, dhe vënien e themeleve institucionale dhe legjislative për të cilat ka nevojë Kosova për punësim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike.

Ajo ka theksuar se pas nënshkrimit, janë edhe dy hapa të tjerë të nevojshëm para se paratë të vijnë në Kosovë.

Së pari sipas Armitage Parlamenti i Kosovës duhet të ratifikojë pakon e plotë financiare, me një shumicë prej 2/3 të anëtarëve, siç kërkohet me legjislacionin e Kosovës.

"Ne presim që Qeveria e Kosovës të bëjë përpjekje për të siguruar një mbështjetje më të gjerë politike për këtë operacion që është miratuar nga Bordi i Bankës Botërore në shtator 2010, dhe për dy operacionet tjera të mbështetura nga Banka Botërore, Projektin për Modernizimin e Sektorit Publik dhe Projektin për Regjistrimin e Pronës dhe Kadastrin, të cilat janë aprovuar para më shumë se një viti, në shkurt 2010", ka pohuar Armitage.

Dështimi për të siguruar pëlqimin parlamentar sipas saj nuk paraqet një precedent të mirë për operacionet e ardhshme. Kjo ka thënë ajo poashtu dërgon një sinjal negativ tek aksionarët e Bankës dhe donatorët e tjerë rreth aftësisë së Kosovës për të shfrytëzuar me efektshmëri asistencën zhvillimore.

Së dyti sipas saj duhet të ketë një vlerësim pozitiv të kornizës makroekonomike të Kosovës nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

"Edhe pas ratifikimit, Banka nuk mund të disbursojë këtë mbështetje buxhetore nëse korniza makroekonomike nuk është në rrugën e duhur. Është e rëndësishme që qeveria t’u përmbahet aranzhimeve me FMN dhe të ruajë qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike dhe kështu të mundësojë disbursimin e mbështetjes buxhetore nga donatorët."
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)