Bastisje dhe arrestime për shmangie nga tatimi
Prishtinë, 7 qershor - Administrata Tatimore e Kosovës, ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me aksionin e ndërmarr me datë 5 Qershor nga Njësia e Hetimeve Tatimore në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosove- Drejtorinë e Krimeve Ekonomike.
Me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, është ndërmarr një aksion ku janë kryer pesë bastisje në lokacione të ndryshme: dy në Prishtinë, një në Ferizaj dhe një në Obiliq.
Bastisjet dhe arrestimet kanë të bëjnë me persona të cilët janë nën dyshimin e bazuar për shmangie nga tatimi, vlerë e cila parashihet të jetë mbi 1 milionë euro.
Gjatë aksionit të bastisjes janë gjetur dokumentacione të ndryshme, fatura të përgatitura për transaksione fiktive dhe vula të firmave të regjistruara që janë përdorur për lëshimin e faturave me transaksione fiktive.
Gjithashtu, gjatë kësaj bastisje janë konfiskuar një laptop, dy shtëpiza kompjuteri, çertifikata të bizneseve të familjarëve të të dyshuarve dhe personave tjerë.
Pas përfundimit të bastisjes pesë personat e dyshuari janë arrestuar për 48 orë , ndërsa me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale janë intervistuar të dyshuarit për shmangie nga tatimi, të cilët në prani të avokatëve të tyre kanë pranuar veprën penale Shmangie nga Tatimi, bazuar në Kodin Penal të Kosovës, neni 313 dhe Ligjin Nr.03/L-222, neni 63.
Të dyshuarit me datë 7 Qershor 2013 (sot), kanë dalë përpara Gjykatës dhe të gjithë e kanë pranuara veprën penale shmangie nga tatimi.
Gjykata ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për 30 ditë.
Administrata Tatimore e Kosovës do te ndërmerr te gjitha veprimet ligjore që të gjithë tatimpaguesit të kenë trajtim të barabartë, ashtu siç parasheh legjislacioni tatimor.