Bashkim bankar europian
Bruksel, 19 tetor - Kancelarja gjermane Angela Merkel apeloi që komisionerit për Çështjet Ekonomike ti jepen të gjitha kompetencat per ti vendosur veto buxheteve të vendeve anëtare.
Ajo kërkon ndërhyrjen e tij, me të drejta të plota nëse buxhetet kombëtare shkelin rregullat e bllokut. Idea -parashikohet të kundërshtohet nga anëtarët e tjerë, të cilët do të shqetësohen nga zgjerimi i pushtetit të Komisionit Europian.
Në fillim të samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, ftoi të gjithë anëtarët për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për Paqe në Norvegji.
Samiti pritet të përqendrohet tek plani për Unionin Bankar. Qëllimi është të pranohet fillimisht mbikqyrja e bankave, me Bankën Qëndrore Europiane në rolin kryesor, por Britania e Madhe, qendra kryesore financiare e BE-së kërkon mbrojtje për ruajtjen e kompetencave të Bankës së Anglisë.
Përveç saj edhe nëntë vende të tjera, jo anëtare të eurozonës, kanë shprehur shqetësimin për të drejtën e votës mbi propozimin për Unionin Bankar.
UNIONI BANKAR, PLANI ME 3 FAZA I BRUKSELIT
1- Mekanizëm i Vetëm Monitorues
2- Skema e zgjidhjes së përbashkët për të ulur falimentimin e bankave
3- Skema e përbashkët e garantimit të depozitave
Në një intervistë për gazeten britanike The Guardian presidenti i Francës, Fransua Holond, tha se nuk ka më kohë për të humbur në ngritjen e Unionit Bankar. Ndërsa 17 vendet anëtare të eurozonës pritet të mbështesin gjerësisht propozimin e Unionit Bankar, 10 të mbeturit hezitojnë që bankat e tyre të përballen me një rregullore të re, pa patur mundësi të thonë fjalën e tyre.
Në samitin që zhvillohet në Bruksel - siç spekullohet - pritet që Spanja të kërkojë një plan të kufizuar shpëtimi.