15 Nëntor 2024

Bashkëpunimi Kosovë-Maqedoni të ngritet në nivel më të lartë

Prishtinë, 12 maj - Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët si energjia, infrastruktura dhe fusha tjera që hynë në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Kështu u tha sot nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci dhe Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi, gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë.

Ministri Stavileci tha se me homologun e tij nga Maqedonia janë pajtuar se niveli i bashkëpunimit që kemi pasur në të kaluarën, patjetër duhet të  ngritet në një nivel tjetër nisur nga fakti që ne kemi pasur disa marrëveshje të nënshkruara në mes shteteve tona.

“Do të donim që tash e tutje ta ndryshonin kahen në kuptimin pozitiv sidomos për sa i takon ritmit të zhvillimeve, pra që t’i materializojmë ato dhe të nisim me aktivitete dhe projekte konkrete”, tha Stavileci.

Sipas tij, duke e ditur që të dyja shtetet janë bashkëpjesëmarrëse në të gjithat iniciativat rajonale, përfshi edhe ato që rrjedhin nga procesi i Berlinit në kuadër të cilit janë agjenda e rrjetit të transportit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe interkonektiviteti  në fushën e energjisë, ky bashkëpunim duhet quar më tej.

“Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që shtetet e Evropës Juglindore, sidomos këto me të cilat jemi fqinj të kemi projekte me të cilat do të lidheshim edhe më mirë njeri me tjetrin, pastaj do të lidheshim edhe në platformat tjera sidomos në aspektin e tregut rajonal”, tha Stavileci, duke marrë si referencë pozitive bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në këto fusha.

Kreu i MZHE-së, tha se praktika e bashkëpunimit me Shqipërinë ku hyn autostrada energjetike - 400 kV dhe projektet që do të kenë impakt edhe në zhvillimet e ardhshme në tregjet e përbashkëta, mund të ndiqen edhe me Republikën e Maqedonisë, me qëllim të krijimit të një tregut të integruar rajonal.

“Delegacionet përkatëse u zotuam që do t’i rinisim këto ide të mëparshme dhe të shohim si t’i avancojmë ato në mënyrë që shtetet tona të lidhen në kuptimin e infrastrukturës fizike por edhe në kuptimin e ndërtimit të kapaciteteve energjetike, me të cilat mund të komplementarizohemi, me çka ndikojmë edhe në sigurinë e furnizimit, jo vetëm për Kosovën dhe Maqedoninë, por edhe me shtete tjera”, tha Stavileci, duke shtuar se kjo do
t’i japë një frymëmarrje tjetër të dyja vendeve.

Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi tha se dy vendet tani më kanë vendosur bazë solide për themelimin e bashkëpunimit me projekte të reja në interes  të qytetarëve të dy vendeve.

“Gjatë takimit u bisedua rreth projekteve energjetike aktuale të përbashkëta sikurse është interkonektimi i dytë Maqedoni -Kosovë prej 400 kV, në të cilën tani më marrin pjesë dy vendet në pranimin e studimeve për vërtetësi ndërsa është nënshkruar edhe Marrëveshja Operative mes MEPSO dhe KOSTT me të cilën rregullohet bashkëpunimi i sistemeve interkonektive mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kuqi më tutje tha se me kolegun Stavileci janë pajtuar rreth rëndësisë së zhvillimit të sistemeve gaz-përçues të dy vendeve, sepse në pajtim me studimet e fizibilitetit për sistemin gaz-përçues në Maqedoni, në mesin e 6 interkonektimeve potenciale shtesë të parashikuara është edhe interkonektimi me Kosovën me të cilën do të shtohet sigurimi i furnizimit me energji.

Sipas tij, bashkëpunimi realizohet në bazë të 28 marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve, por ky bashkëpunim pritet të konkretizohet edhe më tutje nga grupet punuese të dy ministrive.    



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)