Barroso: Reduktimi i borxhit grek masë e jashtëzakonshme
Bruksel, 30 tetor - Marrëveshja e zonës euro për reduktimin e borxhit grek gjatë samitit të fundit evropian është një masë absolutisht unike dhe e jashtëzakonshme, deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso për një të përjavshme portugeze.
Krerët evropianë arritën të enjten një marrëveshje që kalon nëpërmjet një reduktimi prej rreth 100 miliardë eurosh të borxhit grek, që arriti në 350 miliardë euro, ndërkohë që dhe bankat pranuan të fshijnë gjysmën e kredive të tyre.
Rasti grek është absolutisht unik dhe i jashtëzakonshëm. Të gjitha qeveritë janë angazhuar të mos përdorin këtë lloj veprimi, konfirmoi Barroso në një intervistë të publikuar sot nga e përjavshmja Expresso.
Ministri portugez i Financave, Vitor Gaspar përjashtoi kategorikisht çdo ristrukturim të borxhit portugez duke shtuar se kjo zgjidhje do të shtynte vendet drejt një krize më të thellë duke i penguar të kenë akses në financimet e jashtme.
Duke u bërë në muajin maj vendi i tretë i zonës euro që i kërkoi një ndihmë Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas Greqisë dhe Irlandës, Portugalia ka përfituar ktualisht një asistencë financiare prej 78 miliardë eurosh.