Barroso: Eurozona nuk po shkon drejt recesionit
Bruksel, 5 shtator - Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se nuk beson që eurozona është duke shkuar drejt një rënie të dyfishtë apo drejt recesionit, ndërsa shfaqi besimin që ekonomia e Bashkimit Evropian do të vazhdojë të shënojë rritje modeste.
Këto komente kreu i ekzekutivit evropian i bëri gjatë një vizite në kryeqytetin australian Kanbera.
Barroso tha se Bashkimi Evropian dhe euroja janë të fuqishëm dhe në gjendje ta marrin vetën dhe se parashikimet e fundit të Komisionit Evropian kanë treguar që do të ketë një rritje modeste ekonomike në BE.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në BE ende vazhdon të ekzistojë shqetësimi për një recesion të mundshëm pas informacioneve për një ngadalësim ekonomik në pjesën e dytë të këtij viti.