Barinjtë e izoluar afër Restelicës marrin ndihma nga ajri
Prishtinë, 15 shkurt - Pas njoftimit nga banorët lokalë të Restelicës dhe fshatrave përreth për 5 barinj të izoluar nga bora e madhe në vendin e quajtur Zlli Potok dhe të cilët ishin duke u kujdesur për bagëtitë në një fermë, të martën, ata morën ndihma nga ajri, të shpërndara nga KFOR i me anë të helikopterit.
Siç thuhet në një njoftim të sotëm, Qendra e Situatave e Ministrisë së FSK së në bashkërendim me Qendrën e Situatave të Qeverisë, KFOR in, banorët lokalë dhe shoqatën Nëna Terezë arriti me sukses të koordinojë të gjitha aktivitetet, që ky operacion humanitar dhe emergjent të përfundojë me sukses.
Tani këta banorë më nuk janë në rrezik, pasi ndihmat e dërguara, do tua mundësojnë atyre një qëndrim më të gjatë në ato lokalitete duke qenë të furnizuar me artikujt ushqimorë të domosdoshëm dhe me gjëra tjera të nevojshme.
Këta banorë shprehen shumë mirënjohës për të gjitha institucionet qeveritare dhe jo qeveritare të Republikës së Kosovës, KFOR-in dhe të gjithë ata që kontribuuan në këto momente.