Banorët e lagjes Kolovicë duan parqe, rrugë dhe ndriçim publik
Prishtinë, 22 qershor - Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, mbajtën diskutim publik me banorët e lagjes Kolovicë në të cilin u diskutuan çështje të ndryshme që ndërlidhen me infrastrukturën dhe shërbimet publike në këtë lagje.
Në fillim të këtij diskutimi, drejtori Hysen Durimishi tha se në këtë lagje ka shumë prona publike të uzurpuara të cilat kryesisht pengojnë në realizimin e disa projekteve të planifikuara pasi që, siç u shpreh ai, krimi më i madh në Kosovën e pasluftës është bërë pikërisht me pronat publike të pronësuara kundërligjshëm.
Megjithatë, përkundër këtyre pengesa, Durmishi tha se Komuna e Prishtinës është duke intervenuar qoftë edhe përkohësisht në ato rrugë dhe rrugica duke i shtruar me kubëza me qëllim të lehtësimit të jetës së banorëve të kësaj lagjeje. Ai i njoftoi të pranishmit edhe me projektet e kanalizimeve.
Disa prej problemeve që i raportuan qytetarët e pranishëm në këtë diskutim publik ishin mungesa e kontejnerëve të mbeturinave, neglizhenca e kompanisë Pastrimi për ta pastruar këtë lagje, mundësia e hapjes së një institucioni parashkollor, ndriçimi i disa rrugëve, vendosja e barrierave në rrugën kryesore me qëllim të ngadalësimit të shpejtësisë së automjeteve.
Gjithashtu, ata u ankuan edhe në projektet e realizuara gjatë qeverisjes së kaluar, duke thënë se në të shumtën e rasteve kanë qenë projekte gjysmake që nuk kanë qenë në funksion të lehtësimit të jetës së banorëve të kësaj ane. Kërkesë më e zëshme ishte krijimi i hapësirave të gjelbra dhe shndërrimi i tyre në parqe.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ardian Gashi i informoi të pranishmit se është
hapur tenderi për shporta të mbeturinave, të cilat parashihen të vendosen edhe në këtë lagje.
Ai i informoi se Komuna e Prishtinës është duke e përpiluar edhe planin strategjik pesë vjeçar për menaxhimin e mbeturinave.
Po ashtu, Gashi tha Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe revitalizimin e sipërfaqeve të gjelbra. Ai ndërmendi se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është shpenzuar pikërisht për pastrimin e mbeturinave inerte si dhe apeloi tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Komunën dhe organet e tjera kompetente për të raportuar çdo keqbërës që tenton të ndotë ambientin.
Deri më tani investimet më të mëdha janë bërë në Fushën e Pajtimit, në Arbëri, në Kodër të Trimave, por edhe në pjesë të ndryshme të kryeqytetit ku më parë kanë qenë deponi të mbeturinave, ndërsa tani ato sipërfaqe janë duke u revitalizuar dhe aty ku ka mundësi, edhe duke u shndërruar në parqe. Vetëm në sezonin e pranverës janë mbjellë rreth 1.600 fidane në shumë prej 65 mijë eurove, ndërsa në kontratën e vitit të kaluar janë mbjellë 483 fidane në një vlerë prej 200 mijë eurosh, kontratë kjo e qeverisjes së kaluar.
Andaj, ne i kemi shkëputur kontratat që janë të dëmshme për paranë publike dhe neve na kanë tepruar për të njëjtin investim edhe 130 mijë euro më të cilat mendojë se do të mbillen edhe 3.000 fidane të reja dhe kjo na mundëson që edhe në lagjen e Kolovicës të krijohen parqe, tha Gashi.
Gashi, gjithashtu, i informoi të pranishmit se gjatë vitit të kaluar është zgjeruar për 35 km ndriçimi publik, si dhe janë ndriçuar të gjitha parkingjet në zonën Qendër.
Sivjet, është nënshkruar kontrata e ndriçimit ku parashihet edhe ndriçimi i rrugëve të lagjes Kolovica dhe një anë tjetër pozitive tani është se ofertat e tenderëve tani janë shumë më të lira në cmim, gjë që na mundëson që me mjetet e tepruara ta rrisim vëllimin e investimeve, p.sh në vend të zgjerimit të ndriçimit për 25 km, për të njëjtën shumë, ta zgjerojmë ndriçimin 10 km më shumë, tha Gashi.
Të pranishmit u ndanë të kënaqur nga ky takim dhe u shprehën se për herë të parë autoritetet komunale organizojnë diskutime publike të këtij formati me banorët e kësaj lagjeje.
Diskutimi i ardhshëm publik do të mbahet të mërkurën, me datë 26 qershor, në shkollën Anton Zako Cajupi me banorët e fshatrave Trudë, Bardhosh dhe Bërnicë. të pranishëm në këtë diskutim do të jenë drejtorët Hysen Durmishi, Xhelal Sveçla dhe Genc Bashota.