11 Janar 2025

Banorët e Kroit të Vitakut kërkojnë intensifikimin e rindërtimit

Mitrovicë, 11 tetor - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e banorëve të Kroit të  Kroit të Vitakut të veriut të Mitrovicës, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e rindërtimit të shtëpive të djegura gjatë luftës. 

U potencua se rindërtimi është shumë me rëndësi për këta banorë, meqë shumë prej tyre ende jetojnë nëpër strehimore kolektive dhe në banesa apo shtëpi ku paguajnë qira. 

Kryetari Kastrati i njoftoi banorët për ndarjen e një fondi prej 900 mijë eurosh nga Qeveria e Republikës së Kosovës për vazhdimin e procesit të rindërtimit. Ai tha se kjo mbështetje është e mirëseardhur, përderisa nevojat janë ende më të mëdha.

Ai tha se në mungesë të mjeteve sivjet është punuar më pak në rindërtim, ndërsa tani me këtë fond pritet që të vazhdojnë projektet që kanë mbetur  në gjysmë.

“Me mjetet e ndara do të vazhdojnë projektet që kanë mbetur në gjysmë, mandej do të paguhen borxhet për operatorët si dhe do të nis edhe ndonjë projekt tjetër në bazë të mjeteve që janë në dispozicion”.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati përmendi mbështetjen e vazhdueshme të komunës për banorët e veriut në kuadër të mundësive që ka.

Ai përmendi sigurimin e ndihmave ushqimore për më shumë se 400 familje të veriut, duke përfshirë edhe banorët e Kroit të Vitakut.

Gjithashtu ai ka numëruar edhe mbështetjen komunale për banorët e Kodrës së Minatorëve, Lagjes së Boshnjakëve, Lagjes së Doktorëve por edhe për ata të  Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës, tri fshatrave shqiptare të Komunës së Leposaviqit.

“Përkundër të gjithave nevoja për mbështetje për këta banorë është shumë e madhe, meqë problemet janë të mëdha edhe për strehim, edhe sa i përket kushteve sociale”.

Megjithatë ai premtoi se komuna do të jetë pranë tyre vazhdimisht. “Ne sikur deri me tani do të jemi pranë qytetarëve tanë në mënyrë që mjetet që i kemi në dispozicion t’i shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale”.

Në anën tjetër edhe banorët kanë shprehur falënderimin e tyre për Komunën e Mitrovicës dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme.

Ata përmenden ndihmat ushqimore, mandej sigurimin e transportit nga komuna për banorët e lagjes etj. 

Ndërsa sa i përket rindërtimit kërkuan më shumë mjete, meqë ende ka shumë banorë të veriut që jetojnë nëpër strehimore apo me qira.

Nazmi Ismajli, njëri nga banorët  e kësaj lagjeje, tha se vazhdimisht kanë kërkuar intensifikimin e rindërtimit në veri.

“Ka 12 vite që shumë prej nesh jetojnë në gjendje të rëndë, andaj kërkohen më shumë mjete për të përmbyllur procesin e rindërtimit në lagjen tonë”.

Ai tha se prej pasluftës me familjen e tij jeton me qira dhe gjatë kësaj kohe ka paguar 15 mijë euro vetëm për banim.

“Kështu jetojnë shumica e atyre që nuk u janë rindërtuar shtëpitë. Një herë na është ndihmuar për kompensim të qirasë me nga 700 euro. Duhet që institucionet qendrore të na ndihmojnë edhe në këtë drejtim”.  
              
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)