Bankat ua marrin shtëpitë bizneseve
Prishtinë, 10 qershor - Dhjetëra hipoteka janë nxjerrë në shitje gjatë javës që lamë pas nga bankat komerciale në vend, pasi që bizneset që i kanë lënë ato, nuk po kanë mundësi që ti shlyejnë ratat e kredisë.
Në mungesë të mjeteve, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve janë duke i humbur shtëpitë, ku madje disa nga ta janë duke jetuar me qira nëpër to, pasi që me vendim të gjykatave, pasuria e tyre administrohet nga banka.
Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë Elkos është njëri nga biznesmenët që po ua blen pronat e kompanive tjera që kanë falimentuar për arsye të ndryshme.
Ai para pak kohës ka filluar punimet në ndërtimin e një qendre të re tregtare në periferi të qytetit, buzë rrugës që të shpie për në qytetin e Podujevës. Por, përkundër fjalëve, Kelmendi thotë se tokën e ka blerë nga pronari e jo banka, edhe pse paratë ia ka paguar kësaj të fundit.
Unë tokën se kam blerë nga banka, por nga pronari i saj. E paratë ia kam dhënë bankës, ngase toka ka qenë e hipotekuar, tha ai.
Por, në anën tjetër, përfaqësues të bankave në vend në mënyrë kategorike mundohen të mohojnë faktin se kreditë hipotekare janë në rritje e sipër.
Iliriana Tahiraj nga Raiffaisen Bank thotë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2013, Banka Raiffeisen ka publikuar 40 ankande publike, në mesin e të cilave ka ankande të cilat publikohen edhe për herë të dytë.
Me ligjet e aplikueshme, në rast se ankandi nuk është i suksesshëm, mund të publikohen deri në tri herë për një lëndë, tha ajo.
Tahiraj thotë se banka nuk mund të japë informacione rreth vlerës së hipotekave, sepse lëndët i takojnë periudhave të ndryshme kohore dhe përfundimi i procedurave gjyqësore nuk e nënkupton domosdoshmërisht edhe realizimin e kthimit të kredisë.
Sipas saj, procesi i shitjes së hipotekave është një proces i shoqëruar me vështirësi të ndryshme, duke përfshirë vështirësitë derisa hipoteka kalon në pronësi të bankës por edhe më pas, vështirësitë për shitjen e tyre.
Në përgjithësi ka qenë një trend stabil i përqindjes se kredive të këqija, dhe nuk ka pasur lëvizje të theksuara në tre vitet e fundit. Përqindja e kredive të këqija është brenda normave të lejuara dhe Banka ndan rezervat e mjaftueshme për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë e këqija, tha ajo.
Edhe zyrtarë nga Pro Credit Bank thonë se në mënyrë konsistente nga viti në vit ka vazhduar me portofol kualitativ në kredidhënie, në të cilin dominojnë kreditë për bizneset, përfshirë agrobizneset.
Sipas tyre, përqendrimi i Pro Credit Bankës në dhënien e kredive për bizneset, reflekton misionin e bankës për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme pasi këto biznese krijojnë numrin më të madh të vendeve të punës dhe kontribuojnë në ekonominë e vendit.
Përderisa Pro Credit Bank nuk promovon kredi konsumuese, kreditë bazohen në gjendjen financiare të secilit klient si dhe në analizë të mirëfilltë financiare. Për sa i përket kredive joperformuese, niveli i tyre në Pro Credit Bank vazhdon të jetë i ulët krahasuar me numrin e kredive të dhëna nga Pro Credit Bank, si dhe me mesataren e kredive joperformuese në Kosovëthuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e kësaj banke.
Më tej thuhet se krahasuar me vitet e mëparshme, niveli i kredive joperformuese në vitet 2012 dhe 2013 është shoqëruar me një ngritje të lehtë, gjë që nuk paraqet ndonjë shqetësim, ndërkaq shitja e hipotekave është proces kompleks që përcillet edhe me vështirësi.
Siç dihet, tregu bankar në Kosovë kërkon garanci hipotekare në lëshimin e shumave dhe maturiteteve të caktuara. Pro Credit Bank nxjerrjen në shitje të një hipoteke e konsideron opsionin e fundit, dhe kjo bankë përqendrohet në identifikimin e aplikacioneve të këqija para aprovimit, gjithnjë duke zbatuar një teknologji të përgjegjshme dhe profesionale të kreditimit, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e kësaj banke.
/Zëri/