16 Janar 2025

Bankat shtrenjtojnë shërbimet për klientë

Prishtinë, 20 mars - Banka më e madhe në vend, “Pro Credit Bank”, ka shtrenjtuar shërbimet për klientë, duke siguruar miliona euro profit të pastër në fund të vitit. Klientët ankohen se kjo bankë për tërheqje të parave në sportel po u ngarkon me 0.30 euro, shërbim i cili më parë ka qenë pa pagesë.

“Në Pro Credit për tërheqje të parave në sportel së fundi kam paguar 30 centë. Kjo është e palogjikshme, pasi që banka nuk ka kurrfarë shpenzime shtesë. Për këtë gjë e kam edhe faturën e bankës si dëshmi. Më herët ky shërbim ka qenë pa pagesë, ndërsa deri në fund të vitit të kaluar ka qenë 10 centë”, ka pohuar një klient, i cili ka preferuar të flasë pa emër.

Shumica e bankave tjera kanë filluar t’i ngarkojnë klientët me 0.20-0.30 euro për tërheqje të parave në sportel, ndërsa vetëm pak banka këtë shërbim e kanë falas.

“Pro Credit” vitin e kaluar ka fituar hiç më pak se 15 milionë euro, më shumë se të gjitha bankat komerciale në vend, pasi që shumica kanë raportuar humbje në fund të vitit.

Shumë konsumatorë ankohen për shërbimet e shtrenjta të bankave, pos ndalesave administrative për kredi po ashtu edhe për secilin shërbim bankar.

Duke mos dashur të identifikojë bankën klient i së cilës është Korab Aliu nga Prishtina, ka thënë se pagesat e shërbimeve në bankë janë të papërballueshme.

“Kam pasur rast ta marr një kredi konsumuese 1 mijë euro, nga kjo shumë më janë ndalur afër 20 euro, më duket për shërbime, se di as vetë se çfarë shërbimesh. Përveç kamatave që janë të larta edhe këto pagesat e shërbimeve vërtet janë të papërballueshme. Për tërheqje dhe çdo shërbim tjetër ka ndalesa, nuk them se nuk duhet të jenë mirëpo janë të larta”, ka thënë ai.

Shemsi Ademi nga Komorani i cili punon në Prishtinë ka thënë se mungesat në xhirollogarinë e tij i vëren përmes pagës.

“Unë e shikoj kur më del rroga, asnjëherë nuk më del njësoj, nuk e di nga shkojnë ato para, ne nuk kemi rroga të mëdha dhe normalisht se e vërejmë qoftë edhe 1 euro kur mungon. Po t’i pyetësh në bankë thonë janë ndalur për këtë ose për atë shërbim, askush nuk mund t’u bjerë në fije. Mendoj se nuk është në rregull, pagesat për çdo shërbim në bankë janë të larta”, ka thënë Ademi.

Albana Binaku edhe pse ankohet se një gjë e tillë, sipas saj, nuk është në rregull, ka thënë se këto shërbime janë të nevojshme për të andaj është e detyruar të funksionojë edhe atëherë kur bëhet nervoz me këto shërbime.

“Mendoj se janë të larta shërbimet krahasuar me të ardhurat dhe gjendjen ekonomike në vend. Nëse merren kredi dihet se njeriu ka shumë nevojë për ato para, e kur hyjnë plus ndalesat e shërbimeve që janë të larta është ngarkesë e madhe për atë që merr kredi. Por edhe ndalesat për pagesa të ndryshme dhe tërheqje parash janë tejet të larta. Nuk është në rregull për mendimin tim, por çfarë të bëjmë”, ka thënë ajo.

Nga ana tjerët Drita Sopa, studente nga Prizreni, ka thënë se për një gjë të tillë klientët duhet të ankohen. “Unë nuk kam parë njeri të ankohet ndonjëherë për këto “vjedhje” nëse mund t’i quaj që po bëjnë bankat karshi klientëve. Ne heshtim për çdo gjë, heshtim edhe në këtë rast”, ka thënë ajo shkurt.

Ndërsa përfaqësues të bankës “Raiffeisen” kanë thënë se tarifat janë konkurruese në treg. “Banka Raiffeisen ofron një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve bankare të cilat janë edhe të konkurueshme në treg. Ndërsa tarifat caktohen në pajtim me rregullat dhe procedurat e brendshme që ka banka dhe në përputhje me koston e ofrimit të këtyre produkteve”, ka thënë Iliriana Tahiri, zyrtare për media në “Raiffeisen Bank”.

Bashkim Zeqiri nga “Teb Bank”, duke folur për çmimet e shërbimeve në këtë bankë, ka thënë se “mund të komentohen si konkurruese duke i krahasuar çmimet e tregut”.

Ndërsa zyrtarë të “Pro Credit Bank” nuk kanë dashur të komentojnë tarifat e shërbimeve në këtë bankë, krejt çfarë kanë thënë ata në përgjigjen për gazetën është se të gjitha çmimet e shërbimeve janë transparente në faqen zyrtare të kësaj banke.

Zyrtarë të bankës “NLB Prishtina” nuk kanë dashur të përgjigjen lidhur me shërbimet e larta bankare.

Shërbimet në “Raiffeisen Bank”

Ndalesa për tërheqjen e të hollave në sportel (për klientët që kanë pako) 0.15
Ndalesa për tërheqjen e të hollave në sportel (për klientët jashtë pakos) 0.20
Tërheqje e të hollave mbi 100 mijë euro 0.10%
Tërheqja nga bankomatët e bankave tjera 2.5 %
Tërheqja nga bankomatët jashtë Kosovës 2.5%
Me Mastercard të gjitha shërbimet e tërheqjes nga 2.5%
Ndryshimi i kodit të kartelës 2.50 euro
Mirëmbajtja mujore 1 euro
Çmimi i kartelës 5 euro

Shërbimet në “Pro Credit Bank”

Tërheqja në bankomatët në ndërtesën e bankës pa pagesë
Jashtë ndërtesës së bankës 15 centë
Jashtë Kosovës, 2.25 %
Tërheqja nga Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë – 1 euro
Tarifa për ndërrimin e pinit 1 euro
Tarifa e mirëmbajtjes së llogarisë - 6 euro

Shërbimet në “TEB Bank”

Mirëmbajtja vjetore e Starcard 20 euro
Lëshimi i Starcard pa pagesë
Ndërrimi i kartelës 2.5 euro
Tarifa mujore për gjendjen e Starcard pa pagesë
Tarifa për tejkalim të limitit 5 euro
Tërheqjet e parave të gatshme në bankomatët në ndërtesat e bankës
dhe jashtë bankës 2.5 %
Tërheqjet e parave të gatshme në bankomatët e bankave të tjera brenda
Kosovës 2.5 %
Tërheqjet e parave të gatshme në bankomatët e bankave të tjera jashtë
Kosovës 2.5 %

Shërbimet në “NLB Prishtina”

Kreditë individuale 1.5 % shërbime
Çdo pagesë për shërbim ndalen 1 euro, vetëm për studentë 50 centë
Tërheqja brenda lokaleve të NLB-së 10 centë
Tërheqja jashtë lokaleve të NLB-së 15 centë
Lëshimi i kartelës 5 euro
Mirëmbajtja mujore 1.50 euro
Tërheqja në bankomatët e bankave tjera deri 150 euro – provizioni 3 euro
Mbi 150 euro - provizioni 2 %
Provision për këmbim valuator 1 %

/zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)