Bankat shtrenjtojnë shërbimet
Prishtinë, 18 shtator - Ngritja e vazhdueshme e çmimeve për shërbime bankare në disa raste është bërë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës. Banka më e madhe komerciale në vend Pro Credit Bank ka ngritur tej mase çmimin për shërbime të vogla bankare.
Deri para pak kohësh për një pagesë banka të ndalte vetëm 0,50 euro, e ndërkaq tash e tutje ajo është 1.50 euro, por për disa lloj të tjera të pagesave shkon deri në 2 euro. Po ashtu, edhe banka tjetër Raifaissen ka ngritur tarifën nga 0.50 centë në 1.50.
Iliriana Tahiraj nga zyra për Informim e Bankës Raiffeisen ka thënë se tarifat janë rritur shkaku që banka po dëshiron ta kthejë në implementim sistemin që shërbimet të kryhen përmes e-banking. Sipas saj, qëllimi është që të kursejë kohën e klientëve, në krahasim me ato klasiket që kryhen në degët e bankës.
Banka Raiffeisen ka pranuar ankesa sa i përket tarifave edhe nga klientët tanë. Zyrtarët bankarë vazhdojnë tju sqarojnë se Banka ju ofron alternativën për kryerjen e shërbimeve të njëjta përmes e-banking me tarifa dukshëm më të ulëta. Po ashtu, shfrytëzimi i shërbimeve elektronike ua kursen kohën klientëve dhe u jep mundësinë që këto shërbime ti kryejnë kudo dhe kurdo që ata kanë nevojë, ka thënë ajo.
Edhe zyrtarë të Pro Credit Bank thotë se arsye e rritjes së komisioneve për shërbimet bankare nga ana e Pro Credit Bankës është se po promovohet përdorimi i llogarisë për pagesa e jo keshi. Sipas tyre, në këtë kontekst, qëllimi kryesor është të inkurajohen pagesat jo kesh dhe kanalet alternative bankare siç janë e-Banking e bankomatet.
Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se në mungesë të një konkurrence të denjë në tregun bankar, atëherë secili pjesëmarrës aty mundohet të maksimizojë shërbimet e veta.
Kjo krijohet me qëllim të rritjes së fitimit. Te bankat sjellja më e pandershme është ajo se nuk janë transparentë me klientët, përkatësisht proklamojnë provizione të ulëta, ndërsa në momentin kur duhet shfrytëzuar këtë shërbim, ato ofrojnë një kosto shumë më të lartë, thotë ai. Sipas tij, edhe pse bankat monitorohen nga Banka Qendrore, në këtë rast nuk ka vend dhe as drejtësi për ndërhyrje.
Kjo mund të quhet mashtrim e jo plaçkitje, meqenëse ato po bëjnë një pagesë legale, apo që nuk është e ndaluar me asgjë. Madje, këtu nuk ka fuqi të ndërhyjë as Banka Qendrore e Kosovës, meqenëse kjo kosto bie në rrafshin e lirisë së biznesit dhe konkurrencës në treg, ka thënë ai.
/Zëri/