Bankat shqiptare, të paprekura nga kriza ekonomike greke
Tiranë, 29, tetor - Bankat shqiptare, rezultojnë të paprekura nga kriza ekonomike greke. Ardian Civici, një nga ekspertët më në zë të ekonomisë në Shqipëri, njëherazi dhe rektor në Universitetin Europian të Tiranës, u shpreh, se marrëveshja e liderëve të Eurozonës, për lehtësimin e borxhit të Greqisë ka detyruar edhe disa banka në Shqipëri të japin kontributin e tyre.
Sipas marrëveshjes, vuri në dukje Civici, bankat private që i kanë dhënë borxh qeverisë greke, detyrohen të falin gjysmën e shumës, pasi fqinji ynë jugor nuk ka mundësi financiare për ta shlyer të gjithë atë.
Por pavarësisht kësaj, thekson eksperti Civici, rezulton se ekspozimi është shumë i ulët në raport me fitimet e bankave.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar në vend pati një fitim total prej 6.7 miliardë lekësh, që i konvertuar do të thotë gati 48 milionë euro.
Shuma që bankat shqiptare do t\'i falin Greqisë është sa gati 12 për qind e fitimit që ato realizuan vitin e kaluar.
Sërish shifra e humbjeve për bankat shqiptare është modeste dhe nuk krijon probleme për sektorin bankar.