Bankat në Kosovë për gjashtë muaj i fituan 46.2 milionë euro
Prishtinë, 19 tetor (ER) - Sektori bankar në dy vjetët e fundit po karakterizohet me performancë të shkëlqyer financiare. Neto profiti i realizuar deri në qershor 2015 shënoi vlerën 46.2 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 26.9 milionë eurosh të regjistruar deri në qershor 2014. Rritja e profitit është kryesisht rezultat i zvogëlimit të theksuar të shpenzimeve, përderisa të hyrat shënuan rënie të lehtë.
\"Të hyrat e sektorit bankar deri në qershor 2015 arritën vlerën 119.7 milionë euro dhe shënuan rënie vjetore prej 1.5-përqindësh, është thënë në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.
Sipas BQK-së, kategoria e të hyrave nga interesi vazhdon ta dominojë strukturën e të hyrave me 78.8 për qind, përderisa të hyrat nga jointeresi përbëjnë 20.6 për qind të strukturës dhe pjesa e mbetur përfaqësohet nga të hyrat nga rivlerësimi.
Deri në qershor 2015 të hyrat nga interesi shënuan rënie vjetore prej 2.9-përqindësh. Kjo rënie i atribuohet zvogëlimit të të hyrave nga interesi në kredi kryesisht si rrjedhojë e rënies së normave të interesit. Të hyrat nga jointeresi deri në qershor 2015 shënuan rritje vjetore prej 1.8-përqindësh si rezultat i rritjes së të ardhurave të tjera operative, kurse të hyrat nga tarifat dhe komisionet në kuadër të hyrave nga jointeresi qëndruan në nivel të ngjashëm me vitin e kaluar, ka njoftuar BQK-ja, duke shtuar se vlera e gjithsej shpenzimeve të sektorit bankar deri në qershor 2015 arriti në 73.5 milionë euro, e cila është për 22.4 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Zvogëlimi i gjithsej shpenzimeve në masë të madhe ishte rezultat i reduktimit të shpenzimeve të interesit, që shënuan rënie vjetore prej 53-përqindësh. Në kuadër të shpenzimeve të interesit, shpenzimet për interesin në depozita shënuan rënie vjetore prej 50.6-përqindësh, që kryesisht reflekton zvogëlimin e normës së interesit në depozita, është thënë në raport.