Bankat në Kosovë me performancë pozitive
Prishtinë, 5 shkurt Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se performanca e disa nga grupet e huaja bankare të cilat operojnë në Kosovë, ka qenë e mirë.
BQK-ja, ka njoftuar se në vitin 2012, Procredit Holding (PCH) ka shënuar performancë pozitive në shumicën e treguesve financiar. Vlera e aseteve në fund të vitit arriti në 5.77 miliardë euro që paraqet rritje vjetore për 5.0 përqind. Sa i përket aktivitetit biznesor, gjithsej kreditë e PCH-së arritën vlerën prej 4.19 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 4.0 përqind. Depozitat gjatë vitit 2012 arritën vlerën 3.62 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.1 përqind.
Raporti i shpenzimeve ndaj të hyrave gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje për rreth 1.2 pikë përqindje, Kjo rritje e lehtë erdhi si rezultat i rritjes më të shpejtë të shpenzimeve operacionale, të cilat arritën në 376.4 milionë euro (rritje për 8.0 përqind) kundrejt rritjes së të hyrave operacionale që arritën në 435.5 milionë euro (rritje për 7.3 përqind). Si rrjedhojë, edhe profiti neto gjatë vitit 2012 shënoi rënie prej 1.1 përqind duke zbritur në 46.3 milionë euro (krahasuar me 46.8 milionë euro në 2011), thuhet në Raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së.
Ngjashëm me vitin 2011, norma e kthimit në kapital (ROE) mbeti në nivel relativisht të lartë (10.3 përqind). Niveli i ngjashëm i profitit me vitin paraprak u reflektua edhe në normën e kapitalizimit e cila ruajti një nivel të përafërt krahasuar me vitin paraprak. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit (angl. Capital Adequacy Ratio: CAR) në vitin 2012 qëndroi në 15.1 përqind (15.03 përqind në vitin 2011) që paraqet nivel të kënaqshëm të kapitalizimit të PCH.
Shkalla e aftësisë kreditore (credit rating) e PCH mbetet e njëjtë me vitin paraprak përkatësisht BBB-, sipas vlerësimit nga agjensioni Fitch. Ndërsa, aftësia kreditore ndërkombëtare (international rating) gjithashtu ka mbetur e njëjtë me përjashtim të PCB-së në Kosovës që u përmirësua nga B- në B. Pjesa më e madhe e grupës përbëhet nga degët e saj në Evropën juglindore. Ndërsa, dega më e madhe e gjithsej grupës është ajo e Kosovës me asete prej 805.1 milionë euro apo rreth 14 përqind të gjithsej aseteve të PCH, thuhet në raport.
Në gjysmën e parë të vitit 2013 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, asetet e PCH shënuan rritje të lehtë prej 1.0 përqind duke arritur vlerën prej 5.81 miliardë euro. Rritja e gjithsej aseteve për PCH i atribuohet rritjes së kreditimit ndaj konsumatorëve.
Sipas BQK-s, raporti ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave u rrit për 1.2 pikë përqindje. Rënie vërehet në profitin neto të gjithsej grupës së PCH. Në gjysmën e parë të vitit 2013 profiti neto zbriti në 21.9 milionë euro krahasuar me 27.6 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2012.
Raiffeisen Bank International RBI (Austri)
Në fund të vitit 2012, asetet e Raiffeisen Bank International regjistruan vlerën prej 136.1 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej 7.4 përqind. Vlera e kredive për sektorin jo-financiar arriti në 83.3 miliardë euro që paraqet rritje vjetore për 2.2 përqind, ndërsa depozitat e ekomonive familjare dhe ndërmarrjeve jo-financiare kishin vlerën prej 66.3 miliardë që paraqet rënie vjetore për 0.7 përqind.
Në vitin 2012, raporti ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave shënoi rritje duke arritur në 63.5 përqind krahasuar me 57.0 përqind sa ishte në vitin 2011 . Rritja e këtij raporti erdhi si rezultat i rritjes së shpenzimeve të përgjithshme administrative, nga 3.1 miliardë në 3.3 miliardë, gjatë konsolidimit të pasqyrave financiare të RBI që përfshijnë edhe Polbank. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kishte edhe rritje të shpenzimeve tjera si ato teknologjisë informative. Përveç rritjes së shpenzimeve, edhe rënia e të hyrave operacionale nga 5.5 miliardë në 5.1 miliardë ndikoi që të ketë rritje të raportit ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave, ka njoftuar BQK-ja.
Fitimi neto i konsoliduar i RBI për vitin 2012 ishte 725 milionë euro, që paraqet një rënie prej 25 përqind krahasuar me vitin paraprak. Rrjedhimisht, treguesi i profitabilitetit ROE u zvogëlua në 7.0 përqind krahasuar me 9.7 përqind në vitin 2011. Përkundër rënies së profitit, niveli i kapitalizimit të RBI-së shënoi rritje duke arritur në 15.6 përqind krahasuar me 13.5 përqind sa ishte në vitin 2011, thuhet.
RBI është e vetmja nga tri grupet bankare të tri bankave më të mëdha që operojnë në Kosovë që tregton aksionet e saj në bursë. Në fund të vitit 2012, çmimi i aksioneve të RBI në bursën e Vjenës ishte 31.46 euro, duke shënuar rritje prej 56.8 përqind në 2012 kundrejt vitit paraprak2. Sa i përket rangimit kreditor, RBI është vlerësuar nga tri kompanitë vlerësuese Moodys, S & P dhe Fitch. Moodys ka vlerësuar RBI-në me notë A2 për periudhë afatgjatë dhe P-1 në periudhë afatshkurtër, që krahasuar me vitin paraprak paraqet rangim për një notë më të mirë.
Ndërsa prospektet i ka konsideruear si stabile. Sa i përket S & P, vlerësimi ishte me notë A për periudhë afatgjatë dhe A-1 për periudhë afatshkurtë me prospekte përgjithësisht negative, që është vlerësim i njëjtë me vitin paraprak. Ndërsa Fitch e vlerëson me A në afatgjatë dhe F1 në afatshkurtë dhe me propsekte stabile që gjithashtu paraqet vlerësim të njëjtë me vitin 2011. Pjesmarrja e degës së Raiffeisen Bankës në Kosovë në gjithsej asetet e RBI grupës në fund të vitit 2012 ishte 0.45%.
Në qershor 2013, vlera e aseteve të RBI ishte 130.3 miliardë euro që paraqet rënie vjetore prej 4.3 përqind. Raporti i shpenzimeve ndaj të ardhurave shënoi rritje por më të moderuar. Në qershor 2013, niveli i këtij treguesi arriti në 60.2 përqind (2.1 pikë përqindje më i lartë se në qershor 2012). Sa i përket profitabilitetit, si rezultat i aktivitetit më të ulët, profiti ishte 277 milionë euro krahasuar me 701 milionë euro në qershor 2012. Sidoqoftë, kapitalizimi mbetet në nivel relativisht të lartë me 15.1 përqind.
NLB Group (Slloveni)
BQK-ja, ja njoftuar se vlera e gjithsej aseteve në fund të vitit 2012 ishte 14.3 miliardë euro, që në krahasim me vitin paraprak paraqet rënie për 12.8 përqind. Rënia në vlerë të aseteve, përveç përkeqësimeve të kushteve të tregut, erdhi edhe si rezultat i zvogëlimit të aktivitetit të NLB Group në vende që i konsiderojnë jo-strategjike dhe mbajtjes së politikave konzervative për rrezikun e tregut. Me rënie u karakterizuan edhe tregues të tjerë për NLB Group. Kreditë ndaj sektorit jo-financiar të NLB Group shënuan vlerën prej 9.6 miliardë euro, që në krahasim me vitin paraprak paraqet rënie për 11.1 përqind. Sjellje e ngjashme u vërejt edhe te depozitat që arritën vlerën e 9.1 miliardë euro që paraqet rënie vjetore për 10.4 përqind.
Sidoqoftë, NLB Group rriti efikasitetin duke përmirësuar raportin ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave operative. Në krahasim me vitin paraprak ku raportin ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave ishte 59.7 përqind, në vitin 2012 ky raport u zvogëlua në 54.6 përqind, ka njoftuar BQK-ja.
Treguesit e profitabilitetit u karakterizuan me rënie gjë që i atribuohet edhe rritjes së provizioneve për humbjen e kredive. Sidoqoftë, edhe pse me rezultate negative në profitabilitet, rritja e efiçencës në shpenzime por edhe rritja e të hyrave nga jo-interesi ndikoi që një pjesë e humbjeve të kompenzohet. Kthimi në kapital (ROE) ishte negativ në -25.0 përqind, që paraqet performancë më të dobët se në vitin paraprak (Figura 4). Rrjedhimisht, niveli i kapitalizimit (CAR) ishte më i ulët se në vitin paraprak duke shënuar një normë prej 10.6 përqind krahasuar me 11.1 përqind në vitin paraprak .
Si rezultat i rënies të profitabilitetit, aftësia kreditore e NLB-së nga Moodys dhe Fitch u ul nga BA1 në B2 përkatësisht nga BBB në BBB-. Pjesmarrja e degës së NLB Prishtina në Kosovë në gjithsej asetet e NLB grupës në fund të vitit 2012 ishte 2.94%. Gjysma e parë e vitit 2013 për NLB Group u karakterizua me përshpejtim të trendit të rënies së aseteve të përgjithshme që arritën në 13.8 miliardë nga 16.3 miliardë sa ishin në qershor 2012. Sidoqoftë, si rezultat i rënies të theksuar të të hyrave, raporti ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave u rrit në 81.2 përqind në qershor 2013 (45.0 përqind në qershor 2012)., ka njoftuar BQK-ja.
Vlen të theksohet se shpenzimet në vazhdimësi kanë shënuar rënie por rënia e të hyrave ishte më e theksuar. Në kuadër të NLB Group, profitabiliteti neto i konsoliduar vazhdoi të jetë negativ në krahasim gjysmën e parë të vitit paraprak. Rrjedhimisht, Kthimi në kapital ishte negativ me një normë prej -16.8 përqind, dhe niveli i kapitalizimit (CAR) vazhdoi rënien duke arritur në 10.1 përqind krahasuar me 12.1 përqind në qershor 2012.
Kriza buxhetore përveçse ka rritur pasigurinë e bankave për të lëshuar kredi ka ndikuar edhe në përkeqësim të cilësisë së portofolit kreditor. Sa i përket eurozonës, përkundër faktit se është zvogëluar norma bazë e rifinancimit e Bankës Qendrore Evropiane me qëllim që të lehtësohet qasja në financa për sistemin bankar evropian, niveli i kreditimit shënoi rënie për rreth 1 përqind ndërkohë që niveli i kredive jo- përformuese shënoi rritje prej mesatarisht 2.0 pikë përqindje, thuhet në Raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së.(www.ekonomia-ks.com)