27 Dhjetor 2024

Bankat në Kosovë me fitime milionëshe nga kredi e shërbime të shtrenjta

Prishtinë, 30 shtator - Kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia e ka prekur pothuajse secilin sektor të ekonomisë edhe ashtu të dobët të Kosovës.

Por siç  ka vlerësuar Partia Socialdemokrate (PSD) është pikërisht sektori bankar, i cili në një kohë tërësisht jo normale për të gjithë, ka vazhduar normalitetin, duke realizuar fitime milionëshe.

PSD thekson se nga tabelat financiare të publikuara nga bankat komerciale në Kosovë, del që në periudhën janar - qershor këto banka bashkarisht kanë arritur fitim neto në shumë prej 40 milionë eurosh.

"Po flasim për periudhën e cila përfshinë muajt më të ashpër të pandemisë sa i përket kufizimit të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik e shoqëror."

"Në muajt e vështirë të mbylljes, qeveria Kurti atëbotë na tha se këstet e kredive do të shtyhen për 3 muaj, dhe për këtë nuk do të aplikohet interes shtesë."

"Kjo doli të jetë një e pavërtetë e cila i futi në lajthitje shumë qytetarë. Ata aplikuan për shtyerje të kredisë, por kreditë u shtrenjtuan", thekson PSD.

Në Bankën Qendrore të Kosovës janë me qindra ankesa të qytetarëve për këtë vendim.

PSD thekson se në dhjetëra të tilla të analizuara nga gazetarët hulumtues del që për tre muajt që u premtua shtyerje, interesi përgjatë kësaj kohe është vazhduar të llogaritet dhe bankat kanë aplikuar edhe kamata ndëshkuese që aplikohen në rastet kur shtyhen kreditë.

Ky sipas PSD-se është vetëm një shembull që rikonfirmon mënyrën e funksionimit të bankave në Kosovë. Xhiroja e tyre është aq e pavarur nga kriza shoqërore. Në fakt kriza jonë është fitimi i tyre. Kjo është e vërtetë edhe jashtë pandemisë.

"Problemet ekonomike nuk na vijnë vetëm nga korrupsioni, tenderomania e nepotizmi. Problemet ekonomike na vijnë sidomos nga modeli ekonomik që aplikohet e i cili dërgon në koncentrim të kapitalit në pak duar. "

"E faktor kyç këtu janë bankat. Me kredi të shtrenjta përkundër pak kredive të këqija, e kursime me fare pak përfitim, ato na mbajnë konsumatorë të atypëratyshëm, kurse ekonominë në vendnumërim", konsideron PSD.

Pandemia sipas PSD-se i ka shpërfaqur në formë të kulluar tendencat që ishin ekzistuese tash sa kohë.

Praktikisht siç thekson PSD qytetarët janë detyruar që nga paratë që përdorin për të blerë bukë e gjëra të tjera elementare të heqin një pjesë për të paguar kredinë. E shumë nga këto kredi janë pikërisht kredi konsumi.

"Neve na duhet një shoqëri solidare dhe e zhvilluar. Shteti arsyeton ekzistencën e tij si interes publik e marrëveshje shoqërore pikërisht në raste krizash si kjo e pandemisë. Qytetarët nuk duhet ta kenë derë të parë dhe të vetme bankën."

"Politikat qeveritare duhet të përkthehen në ulje të pabarazive ekzistuese, e jo thellim të tyre. Nuk guxojmë të lejojmë që nga kjo situatë të dalim me ndonjë milioner më shumë ndërkohë që qindar e mijëra janë varfëruar", vlerëson në fund PSD.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)