17 Maj 2024

Bankat greke në alarm

Athinë, 20 maj - Në gjendje alarmi ndodhen bankat greke pasi vazhdon në mënyrë të pandërprerë cunami i tërheqjeve të depozitave që arrin në gati 1 miliardë euro në ditë, që do të thotë për to shterim i likuiditetit, mosfunksionim dhe si rrjedhim shkatërrim i sistemit bankar.

Lajmin e publikon gazeta e së dielës ‘PROTO THEMA’ sipas së cilës vetëm javën e parë pas zgjedhjeve të 6 Majit “fluturuan” nga bankat e vendit 3.2 miliardë euro, ndërsa në javën që kaloi vetëm në tre ditët e para u tërhoqën 3.6 miliardë të tjera. Një fenomen i ngjashëm është vënë re kur Greqia kërkoi për herë të parë ndihmën e BE-së dhe FMN-së para dy vitesh.
 
Burime që nuk duan të identifikohen bëjnë dije se tërheqjet e fundit bëhen nga depozituesit e mëdhenj dhe sidomos nga ata që kanë humbur përgjatë procesit të shkëmbimit të bonove të thesarit, ndërsa tek qytetarët e thjeshtë nuk ka ende shenja paniku.

“Nuk jam shumë i shqetësuar se nuk kam edhe shumë para në bankë, megjithëse që të jem i sinqertë kam tërhequr një pjesë të depozitave, por deri aty”, thekson një qytetar.

“Nuk shqetësohem sepse nuk jam njeri që frikësohet lehtë. Paniku nuk sjell rezultat të mire, nuk të bën të nxjerrësh konkluzione të sakta dhe për këtë arsye duhet që të mos shqetësohemi”, deklaron një qytetare.

Nga ana e tyre bankat greke përpiqen që të ndalojnë këtë hemorragji parash duke shpallur norma interesi tepër fitimprurëse deri në 7% ose duke vënë një kufi për dërgesat e remitancave.

Degët e bankave tashmë bombardohen me telefonata të klientëve që kërkojnë informacione për transferim parash jashtë Greqisë apo për blerje të bondeve gjermane të thesarit. Ndërkaq, Banka e Përgjithshme e Greqisë me një deklaratë zyrtare ka përgënjeshtruar se është vënë kufi në tërheqjen e parave. Vetëm në 30 muajt e fundit depozitat bankare janë reduktuar me 30% ose e thënë ndryshe me gati 70 miliardë euro.

Me shqetësim të madh ndjek zhvillimet BQE në rast se Athina largohet nga Eurozona, pasi ky organizëm është tepër i ekspozuar tek bankat e Greqisë duke u dhënë herë pas here frymëmarrje me anë të likuiditetit që arrin në shifrat prej 170 miliardë euro, domethënë sa gjysma e borxhit kolosal të vendit.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)