Bankat fituan 16.2 milionë euro
Prishtinë, 11 tetor - Hiç më pak se 16 milionë euro i kanë fituar bankat komerciale në vend gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shihet se sivjet fitimi i bankave është rritur për 5.6 milionë euro.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth vlerësimit tremujor të ekonomisë thuhet se performanca e sistemit bankar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 ishte pozitive.
Përderisa të hyrat e sistemit bankar kanë shënuar rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shpenzimet kanë pësuar rënie më të theksuar dhe kjo kryesisht për shkak të shpenzimeve më të ulëta në kategorinë e shpenzimeve për provizione\".
\"Në këtë kategori gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013 janë shpenzuar 19.9 milion euro, deri sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë shpenzuar 27.5 milion euro, thuhet në raport.
Më tej në raport thuhet se në qershor 2013, kreditë jo performuese kishin një pjesëmarrje prej 7,6 për qind në gjithsej kreditë e sektorit bankar. Vlen të theksohet se pjesëmarrja e kredive jo performuese në gjithsej kreditë mbeti e pandryshuar nga muaji mars kur po ashtu qëndronte në 7,6 për qind, përderisa krahasuar me dhjetorin 2012 shënoi një rritje prej 0,1 pikë për qind.
Sektorët që kontribuuan në rritjen e kredive joperformuese gjatë kësaj periudhe ishin kryesisht prodhimtaria, tregtia dhe kreditë për individët dhe ekonomitë familjare. Kreditë joperformuese vazhdojnë të jenë mirë të mbuluara me provizionet për humbjet e mundshme nga kreditë. Në qershor 2013, mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë është rritur në 113,8 për qind, krahasuar me 111,9 për qind në dhjetor sa ishte në 2012, thuhet në raport.
/Zëri/