Bankat fitojnë miliona euro nga mirëmbajtja e kartelave
Prishtinë, 20 mars - Miliona euro në vit po përfitojnë bankat komerciale në vend vetëm nga taksa fikse për kredit kartelat që ata kanë në dispozicion.
Aktualisht në Kosovë janë në funksion mbi 100 mijë kredit-kartela. Por, numri i tyre është duke u rritur dita ditës, pasi që nga to bankat po krijojnë të hyra të konsiderueshme të mjeteve si nga aplikimi i tarifës fikse, ashtu edhe nga interesi, i cili llogaritet në baza ditore.
Mesatarja e mirëmbajtjes së një kartele është rreth 20 euro në vit. Gjatë vitit 2011 sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në vendin tonë kanë qenë rreth 75 mijë kredit kartela. Ndërkaq për një vit numri i tyre është rritur dukshëm.
Lyra Rezniqi - Kryeziu, zyrtare për media në TEB, thotë se Starcard është kredit-kartelë unike në tregun bankar të Kosovës. Sipas saj, numri i kredit-kartelave ka arritur në 83,300. Rezniqi - Kryeziu thotë se tarifa e mirëmbajtjes është 20 euro në vit, por, sipas saj, nëse klienti nuk kryen ndonjë transaksion tarifa e mirëmbajtjes nuk do të llogaritet.
Gjithashtu banka ka organizuar fushata ku ajo liron klientët nga tarifa e mirëmbajtjes së kredit-kartelës për të gjithë klientët të cilët sjellin pagën në TEB, ata do të kenë një vit pa pagesë mirëmbajtjen e kredit-kartelës, tha ajo.
Zyrtarë të BKT-së në Kosovë thonë se BKT-ja ofron për klientët e saj kartelën e kreditit \"Prima\": Master Card Standard, Master Card Gold, Visa Standard dhe Visa Gold
\"Deri më tani, BKT ka lëshuar mbi 13.000 karta klientëve në Kosovë.
Me këto kartela, klientët kanë mundësi të bëjnë blerje nga 2-12 këste me 0% interes, varësisht nga marrëveshja me tregtarët ku i kemi të vendosur POS-ët tonë.
Klientët mund të bëjnë pagesa me Prima Kartela, kudo në botë por edhe përmes internetit, pa paguar ndonjë provizion bankar. Shpenzimet për mirëmbajtje vjetore janë 25 euro për Master Card dhe Visa Gold, kurse për kartelat Master Card dhe Visa Standard vetëm 10 euro, thonë zyrtarë të kësaj banke.
Sipas tyre, me ofertat promocionale klientëve të cilët kanë pagat në BKT, këto kartela iu jepen falas për mirëmbajtje për vitin e parë.
Edhe Arjeta Doroci, zyrtare për media në ProCredit Bank, thotë se kartelat Master Card dhe Visa Classic të lëshuara nga ProCredit Bank janë kartela ndërkombëtare të kreditit. Sipas saj, ProCredit Bankaplikon qasje shumë të përgjegjshme në lëshimin e kartelave të tilla, duke i lëshuar ato për klientë të cilët kanë të ardhura të rregullta.
Kështu ne jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, duke i bazuar vendimet tona në gjendjen e çdo klienti dhe në analizë të shëndoshë financiare. Përmes kartelave të kreditit, ne përcaktojmë një limit mujor të shpenzimit duke mundësuar përdorimin e fondeve pa interes për periudhën kohore prej 45 ditësh, këto kartela nuk mundësojnë blerje me këste, dhe mirëmbajtja mujore kushton 1.66 euro, tha ajo.
Por, pavarësisht se promovohen si të hapur dhe transparentë, zyrtarë të kësaj banke nuk kanë e kanë dhënë numrin e kredit-kartelave që i kanë në dispozicion.
Gazeta i ka dërguar pyetje edhe zyrës për media të Raiffeisen Bank, por këta të fundit nuk janë përgjigjur fare. Po ashtu, gjatë ditës nuk është përgjigjur përmes telefonit edhe Iliriana Tahiraj, zyrtare për media në këtë bankë.
Përndryshe sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2011 në Kosovë kanë qenë 74,873 kredit-kartela, derisa në Shqipëri kanë qenë vetëm 27 mijë e 300.
Sipas të dhënave të BQK-së, në Kosovë janë 35 mijë e 654 kredit-kartela për një milion banorë, derisa në Shqipëri janë 8558 kredit-kartela për një milion banorë. Por në vende të BE-së kjo shifër është shumë më e lartë. Në Republikën Çeke janë 151 mijë kredit-kartela për 1 milion banorë, derisa në Turqi janë 640 mijë kartela për një milion banorë.
/zeri/