05 Maj 2024

Bankat e reja, infuzion për ekonomi

Prishtinë, 5 gusht - Kosova ka nevojë më shumë për bankat e reja, të cilat do të krijonin më shumë mundësi për klientët, por edhe do ta shtonin më shumë kapitalin e huaj në vend.

Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, ka bërë me dije se Kosova është një treg i favorshëm për sistemin bankar. Ai ka njoftuar se ka pasur shumë interesim për t’i shikuar mundësitë për të investuar në sistemin bankar në vend dhe për hapjen e bankave të reja.

“Në BQK ka pasur të interesuar për të hapur banka të reja. Tani për tani e kemi një aplikacion nga një bankë nga Turqia. Jemi në fazën fillestare të shqyrtimit të tij”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se çdo bankë që vjen do të kontribuojë në shtimin e kapitalit të huaj në Kosovë dhe do të krijojë më shumë mundësi që të ketë investime të huaja.

Sipas tij, edhe bankat turke që kanë ardhur në Kosovë kanë krijuar më shumë mundësi për klientë që të zgjedhin se nga cila bankë do të mund të marrin më shumë shërbime. “Bankat turke që kanë ardhur në Kosovë kanë bërë që edhe bankat e tjera të dalin me oferta të reja për kredi. Paraqitja e një banke turke për të operuar në Kosovë është një dëshmi që Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim në të gjitha fushat”, ka thënë ai.

Kurse Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit Riinvest, ka vlerësuar se deri më tani, nëse krahasohet për nga numri i bankave komerciale në vend, Kosova është mjaft e ngjeshur ndonëse, sipas tij, hapësirat për banka të reja janë të mjaftueshme.

“Sektori bankar në vend ka qenë mjaft atraktiv për nga perspektiva e profitit, prandaj si i tillë ka qenë pranues i bankave të ndryshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, sistemi bankar në vend për nga pronësia është i diversifikuar mjaft, madje bankat më të mëdha në Kosovë, ato që kanë pjesën më të madhe të tregut, vijnë nga vendet perëndimore. “Bankat turke kanë një pjesë minore të tregut dhe janë shumë larg dominimit”, ka thënë ai për gazetën Epoka e re.

Në Kosovë tani për tani operojnë tetë banka, prej të cilave dy janë me pronësi vendore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)