Bankat e Kosovës nisin me IBAN
Prishtinë, 6 shkurt - Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se numrat e llogarive bankare në Kosovë do ta kenë në funksionim edhe formatin IBAN (Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare).
Kjo konsiderohet e arritur e madhe për bankat e Kosovës, të cilat kanë kod të veçantë bankar. Përdorimi i IBAN-it në Kosovë është i rregulluar nga BQK-ja me Rregulloren për Sistemin e Numrave Standardë të Llogarive Bankare, ndërsa bankat përkatëse ia përcaktojnë çdo llogarie të klientëve të saj, në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 13616.
Formati IBAN i llogarive bankare përbëhet prej njëzetë (20) karakteresh. Katër (4) karakteret e para janë të njëjta për të gjitha llogaritë bankare XK05, duke përfaqësuar në mënyrë unike karakteret e identifikimit të shtetit në formatin IBAN, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) karakteret e tjera përfaqësojnë numrin e llogarisë bankare të klientit, është bërë me dije në një njoftim të BQK-së.
Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN, sipas BQK-së, është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, duke përkufizuar ato në mënyrë strukturore dhe aritmetike. Formati IBAN do ti lehtësojë pagesat ndërkombëtare në Kosovë, duke u mundësuar bankave të jashtme identifikim më të qartë dhe kontroll plotësues të saktësisë së llogarive bankare në Kosovë.
Po ashtu, përdorimi i formatit IBAN do ta forcojë afirmimin ndërkombëtar të bankave të vendit tonë, si dhe paraqet një hap me rëndësi drejt integrimit evropian në lëmin e pagesave. Në regjistrin zyrtar të IBAN-it, Kosova është e listuar, krahas vendeve të tjera të botës që e përdorin IBAN-in, në pajtim me ISO 13616. Ndryshe, me zbatimin e kodit IBAN Kosova ka kompletuar identitetin e vet bankar, pasi vitin e kaluar ka nisur edhe kodin e veçantë bankar SWIFT.
Për më tepër, përdorimi i formatit IBAN, siç thuhet, do ta forcojë afirmimin ndërkombëtar të institucioneve financiare të vendit, është thënë në njoftimin e BQK-së.