18 Nëntor 2024

Banka shtetërore në Dakota ndihmon biznesin

Washington, 23 qershor - Ndërsa Dakota e Veriut vazhdon një transformim të shpejtë, që lidhet me bumin e naftës, që ka sjellë zhvillim dhe vende pune, një institucion kyç që ndihmon këtë zhvillim, është Banka e Dakotës së Veriut.

Kjo bankë është e vetmja bankë shtetërore në Shtetet e Bashkuara. Ka një arsye të thjeshtë përse sipërmarrësi i ri Cam Holt vendosi të kthehet në vendin e tij të lindjes, në qytetin Williston, të Dakotës së Veriut -- fitimi.
 
“Ka shumë aktivitet, ka shumë mundësi për njerëz si unë, për të filluar një biznes të ri”. 
 
Biznesi i ri, është restorantit “Three Amigos Grill”, ku – që nga hapja në vitin 2011, biznesi ka lulëzuar.
 
 “Erdha këtu dhe e kuptova menjëherë që ishte një nga vendet me më shumë aktivitet, në një nga qytetet më me zhvillim në Shtetet e Bashkuara.”
 
Por përveç kushteve të mira – bumit të naftës, kërkesës së lartë për restorante, vendit ideal – hapja e restorantit “Three Amigos” nuk ishte diçka e garantuar.
 
 “Bankat zakonisht nuk duan të japin hua për restorante, pasi në të vërtetë nuk ka kolateral të madh për huatë që japin. ”
 
Por kjo nuk është si pjesët e tjera të vendit dhe zoti Holt e pranon se arriti ta ngrejë biznesin që ka sot për shkak të një institucioni.
 
“Nuk do të kishim siguruar dot kredi po të mos ishte Banka e Dakotës së Veriut.”
 
Banka e Dakotës së Veriut, e themeluar në vitin 1919 për të mbajtur nën kontroll normat e interesit të huave për fermerët, është e vetmja bankë shtetërore në Shtetet e Bashkuara.”
 
 “Gjatë viteve ajo ka ndryshuar dhe është shndërruar në një financuese të zhvillimit ekonomik.”
 
Shefi ekzekutiv Eric Hardmeyer është dëshmitar i një pjese të këtij ndryshimi, që i ka sjellë bankës fitime rekord.
 
 “Gjatë katër, pesë viteve të fundit kapitali i bankës është rritur nga 4 miliardë, në 7 miliardë dollarë.”
 
Zoti Hardmeyer thotë se fakti që banka u përgjigjet taksapaguesve dhe jo aksionerëve, është çelësi i suksesit të saj.
 
 “Misioni ynë është të financojmë bujqësinë, tregëtinë dhe industrinë.”
 
Ky mision ka qënë i suksesshëm, si në rastin e biznesmenit Cam Holt.  Ai ishte në gjendje të siguronte një hua për restorantin “Three Amigos” përmes një huadhënësi privat, por huaja është e siguruar nga programi për bizneset e vogla i Bankës së Dakotës së Veriut.
 
 “Banka e Dakotës së Veriut siguroi gati 80 përqind të huasë sonë përmes bankës “First Western Bank and Trust”, pra i krijon mundësi bankës private të marrë përsipër më shumë rrezik dhe t’u japë njerëzve si unë, mundësinë për të filluar një biznes edhe pa patur një kolateral për ta mbështetur huanë. ”
 
Zoti Holt thotë se shumica e njerëzve që njeh e shohin Bankën e Dakotës së Veriut si një përfitim që tërheq biznese në këtë shtet.
 
 “Banka e Dakotës së Veriut do që ky zhvillim nga nafta të jetë i qëndrueshëm për një kohë të gjatë. Ata duan që biznese si unë dhe biznese të tjera të vogla të vijnë e të lulëzojnë së bashku me bumin e naftës për të mbështetur komunitetin.”
 
Dhe këtu nuk janë vetëm komunitetet lokale. Gjatë dekadës së fundit rreth 300 milion dollarë nga fitimet e Bankës së Dakotës së Veriut janë depozituar në fondin e përgjithshëm të shtetit, duke pakësuar barrën e taksapaguesve në këtë shtet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)