Banka Qendrore Evropiane në kërkim të 1000 punonjësve të rinj
Frankfurt, 10 dhjetor - Nga nëntori 2014 BQE do të kryejë funksionin e mbikqyrjes bankare në BE. Ajo kërkon 1000 punonjës të rinj: bankierë, juristë, informaticienë. Ndërkohë mbikqyrësit e parë bankarë kanë filluar nga puna.
12 muaj kohë ka Caroline Willeke për të gjetur 1000 punonjës të rinj për mbikqyrjen bankare evropiane, një detyrë e vështirë.
Ekonomistja drejton departamentin e burimeve njerëzore për mbikqyrjen bankare të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), në krye të një ekipi 10 vetësh.
Kanë shumë punë pasi kërkesat për punonjësit e rinj janë të larta: kandidatët duhet të jenë nga vendet anëtare të BE-së, gjuha e punës është anglishtja, një diplomë bachelor ose më mirë master dhe shumë vite punë në profil, janë kriter i detyrueshëm. Bankierë, ekspertë kontabël apo konsulentë firmash, ata duhet të kenë njohuri të mira për bilancet e bankave dhe menaxhimin e riskut.
Krahas 770 mbikqyrësve bankarë, kërkojnë edhe ekspertë informatike, juristë, statisticienë dhe punonjës për burimet njerëzore. Deri në nëntor 2014 duhet të jenë zënë të gjitha vendet e lira pasi atëherë BQE fillon kontrollin e bankave më të rëndësishme të Evropës.
Paralelisht zhvillohet edhe një tjetër projekt i madh i BQE i cili duhet të përfundojë në verë 2014: një ndërtesë e re e BQE në lagjen Ostend të Frankfurtit. 2300 punonjës të BQE duhet të zhvendosen në mes të vitit, pa 1000 punonjësit e mbikqyrjes bankare evropiane.
Për ata nuk kanë vend. Ndërtesa e re ishte planifikuar kohë më parë dhe mjafton vetëm për 2800 vetë. Mbikqyrësit bankarë do të vendosen në ndërtesën e vjetër të BQE-së në qendër të Frankfurtit. Dhe kur mbikqyrësit të fillojnë nga puna BQE do të mbikqyrë jo vetëm politikën monetare por edhe bankat e Evropës.