Banka më e madhe evropiane në skandal
Washington, 17 korrik - Një hetim i Senatit amerikan ka zbuluar se si kontrollet e dobëta në bankën më të madhe të Evropës e kanë bërë atë të cënueshme për pastrimin e parave nga e gjithë bota.
Raporti për HSBC, i publikuar në prag të një debati në Senat ditën e martë, thotë se shuma të mëdha parash të grumbulluara nga trafiku meksikan i drogës kanë kaluar përmes kësaj banke.
Gjithashtu, fonde të dyshimta nga Siria, Ishujt Kajman, Irani dhe Arabia Saudite kanë kaluar përmes bankës britanike, e cila nga ana e saj pret sqarime për këto që thuhet.
Raporti vjen në një kohë të vështirë për sketorin bankar britanik, që po kalon një seri kontrollesh të standarteve dhe parktikave nga entet rregullatore dhe ligjvënësit.
Raporti vlerëson gjithashtu se enti rregullator i Shteteve të Bashkuara, Zyra e Kontrollit të Valutës, dështoi në monitorimin e HSBC-së.
Raporti për bankën në fjalë u lëshua nga Nënkomiteti i Përhershëm Hetimor i Senatit, një organ kongresual që mbikëqyr parregullësitë financiare.
Hetimi 1-vjeçar, në të cilin u përfshi kontrolli i 1.4 milion dokumenteve dhe marrja në pyetje e 75 zyrtarëve të lartë të bankës, do të jetë në qendër të seancës së të martës, ku drejtuesit e HSBC do të dëshmojnë njëri pas tjetrit.