Banka Islame për Zhvillim do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
Jeddah, 16 qershor - Në kuadër të agjendës së tij në Arabinë Saudite, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, u takua me drejtorin e Bankës Islame për Zhvillim (BIZH), Ahmed Muhamed Ali.
Drejtori i BIZH-it u zotua se institucioni që përfaqëson, do të kontribuojë në financimin e projekteve të ndryshme kapitale të Kosovës.
Ai premtoi se ky institucion do të kontribuojë në ndërtimin e projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë, projekte për sistemin e ujitjes dhe ato që kanë të bëjnë me Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
Kosova është në pritje të shfrytëzimit të shumës prej 27 milionë dollarësh, pjesë e një fondi të ndarë menjëherë pas luftës për Kosovën nga BIZH. Drejtori i kësaj banke, u zotua se shumë shpejt do të ndahen mjetet në fjalë.
Kosova, pavarësisht se nuk është anëtare e BIZH-it, do të vazhdojë të mbështetet nga ky institucion bankar, theksoi Ahmed Muhamed Ali.
Ndërsa, kryeminitri Thaçi e falënderoi drejtorin e BIZH-ut për mbështetjen dhe ndihmat që i ka dhënë Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit me këtë bankë dhe mundësinë e marrjes së ndonjë kredie të butë afatgjatë.
Banka Islame për Zhvillim ka 56 vende anëtare. Qëllimi kryesor i bankës është dhënia e kredive e granteve për projekte të ndryshme, që do të sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social.