Banka Evropiane për Investime jep 10 milion euro kredi Procredit Bank
Prishtinë, 14 nëntor - ProCredit Bank dhe Banka Evropiane për Investime (EIB) në konferencën sotme për media nënshkruan linjën kreditore në vlerë 10 milion euro, dedikuar ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Linja kreditore u nënshkrua nga Zëvendës President i Bankës Evropiane për Investime, Dario Scannapieco dhe Drejtori Gjeneral i ProCredit Bank në Kosovë, Ilir I. Aliu.
Drejtori i Procredit, Ilir Aliu ka thënë se kjo linjë kreditore shënon marrëveshjen e parë të këtij karakteri të Bankës Evropiane për Investime në Kosovë, përmes së cilës do të financohen bizneset, veprimtaria afariste e të cilëve kontribuon në zhvillim dhe punësim.
Ai ka theksuar se Linja kreditore do t'iu disbursohet klientëve të biznesit të Procredit Bankës të cilët janë aktiv në sektorët e prodhimtarisë, tregtisë dhe shërbimeve të cilat përmbushin standardet etike, sociale dhe ambientale brenda bankës.
"Ky është sinjal i mirë për investimet e huaja në vend dhe lajm i mirë për komunitetin e biznesit", ka theksuar Aliu.
Nënshkrimi i kësaj kontrate sipas tij reflekton parimet dhe qëllimet e përbashkëta të dy institucioneve dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet Bankës Europiane për Investime dhe Procredit Bankes.
Aliu ka thënë së gjatë një periudhe dy vjeçare, linja kreditore prej 10 milionë euro do të disbursohet në formë të kredive afatgjata për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme.
Zëvendës presidenti i Bankës Evropiane për Investime, Dario Scannapieco tha se ky është një sinjal i mirë që banka është e përkushtuar ta mbështes vendin.
Ne jemi krenarë për njoftimin e sotëm sepse kjo tregon se EIB ka kaluar me shpejtësi nga marrëveshja institucionale në operim dhe mbështetje konkrete të ekonomisë kosovare. Po ashtu falë bashkëpunimit më Qeverinë dhe Zyrën Evropiane në Prishtinë, ky operim do të mbështet NVM-të përmes bashkëpunimit të mirë me grupin ProCredit, ka thënë Scannapieco.
Sipas tij, kjo bankë është më e madhja financiare ndërkombëtare e krijuar për të ndihmuar integrimin e ekonomive evropiane.
Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se nënshkrimi i marrëveshjes së parë kreditore në Kosovë, ndërmjet Bankës Evropiane për Investime (EIB) dhe ProCredit Bank, në vlerë 10 milionë euro, dedikuar ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme në Kosovë, paraqet marrëveshjen e parë të këtij lloji të Bankës Evropiane për Investime në Kosovë. Përmes saj do të financohen bizneset e vendit, afarizmi i të cilave kontribuon në zhvillim dhe punësim dhe rrjedhimisht edhe në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit.
Ministri Beqaj tha se përmes kësaj kredie synohet të financohen projektet nga NVM-të në sektorë të ndryshëm si infrastrukturë, energji, mbrojtje të ambientit, industri, shëndetësi, dhe shërbime tjera.
Vlerësojmë se nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes është hap i rëndësishëm i vendit tonë dhe një mundësi shumë e mirë e bashkëpunimit financiar me këtë institucion të rëndësishëm evropian. Kjo do të krijojë mundësi të reja shtesë për financimin e projekteve nga sektorë të ndryshëm përmes të cilave do të kontribuohet në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit, tha Ministri Beqaj.
I pari i Ministrisë gjithashtu falënderoi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës EIB- në, për bashkëpunimin e sinqertë dhe shumë korrekt, bashkëpunim ky që në qershor të këtij viti rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë.
Pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Kosovës dhe plotësimit të kushteve tjera procedurale, kjo Marrëveshje ka hyrë në fuqi më 8 nëntor. Jam i bindur se edhe tash e tutje bashkëpunimi do të vazhdojë në këtë frymë. Ne e shohim EIB-në si një partner serioz dhe të rëndësishëm të vendit tonë, tha Ministri i Financave.
Sipas tij objektiv parësor i Qeverisë është që përmes lehtësimit të financimit të projekteve të ndryshme në këta sektorë të stimulohet rritja e prodhimit vendor në njërën anë si dhe krijimi i vendeve të reja të punës në anën tjetër, e që do të rezultojë me nxitjen e mëtutjeshme të zhvillimit ekonomik të vendit.