18 Nëntor 2024

Banka Evropiane Investive mund të investojë në rrugën Prishtinë-Pejë

Prishtinë, 17 mars - Republika e Kosovës është treguar një partner serioz karshi institucioneve ndërkombëtare, dhe ka arritur me sukses të përmbush të gjitha obligimet e marra ndaj partnerëve të saj, ka deklaruar sot në Prishtine kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke folur në konferencën “Financim më i mirë për bizneset” e organizuar nga Banka Evropiane Investive dhe Ministria e Financave.

“Kosova ka arritur të përmbush të gjitha obligimet në programin e saj me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe përveç kësaj ka vazhduar me trendë pozitiv të rritjes ekonomike, ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë. Përkrahja e institucioneve financiare ndërkombëtare, i ka dhënë shtytje pozitive zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të konsiderueshme zhvillimit të projekteve zhvillimore dhe infrastrukturore në mënyrë që të lidhë Republikën e Kosovës me rrjetin e rrugëve rajonale dhe evropiane.

Rruga R7 nga Morina në Merdar është realizuar brenda një periudhe rekorde dhe ka ndikuar pozitivisht në rritjen e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve. Po ashtu ndërtimi i kësaj rruge ka ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe në veçanti biznesit privat.

Kryeministri ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës përmes reformave të saja ligjore dhe institucionale ka krijuar një ambient të të bërit biznes i cili është ndër më reformatorët në rajon. Sektori Privat është shtytës i zhvillimit ekonomik, prandaj do të vazhdoj të ketë përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave Besim Beqaj, ka vlerësuar se konferenca ishte një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm për hapjen e mundësive të reja për financime në Republikën e Kosovës, dhe se institucionet e Kosovës kanë mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjen kornizë me Bankën Evropiane për Investime para një kohe.

“Do të vazhdojnë procedurat për financimin e hekurudhës, modernizimin e hekurudhës dhe rrugës në drejtim të Pejës. Por njëkohësisht, jemi pajtuar që të kemi edhe një rritje të prezencës dhe aktiviteteve të Bankës Evropiane për Investime në Republikën  e Kosovës."

"Ajo çka është e veçanta e këtij takimi të sotëm është që është hapur një dritare e re për financimin e sektorit privat, ne nuk dëshirojmë që të shohim anëtarësimin Republikës Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare vetëm përmes kredive sovrane por dëshirojmë që të shohim edhe përmes përkrahjes së sektorit privat respektivisht në ndërmarrjet publike,  si kredi apo hua që jepen në bazë të projekteve”, tha ministri Beqaj.

Ai theksoi se prania e aq shumë përfaqësuesve të sektorit privat, interesimi për dy panelet ka treguar që është e nevojshme edhe më tutje përkrahja cilësore me kredidhënie në Republikën e Kosovës.

"Ne presim që krahas angazhimeve që kemi si shtet, si Qeveri e Republikës së Kosovës me Bankën Evropiane  Investive do të vazhdojmë edhe më tutje ta përkrahim sektorin privat i cili duhet të jetë pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve tona, në mes Qeverisë dhe Bankës Evropiane Investive, Ministri Beqaj theksoi se pjesëmarrja e shefit të zyrës së UE në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe e Kryeministrit Thaçi i kanë dhënë edhe një rëndësi të veçantë takimit të sotëm, sepse po konsiderohet që është një angazhim konkret në drejtim të zhvillimit ekonomik.

Dario Scannapieco, Zëvendës president i Bankës Evropiane Investive theksoi se Banka Evropiane për Investive është e përkushtuar për të mbështetur ekonominë e Kosovës.

“Sot unë deklaroj se ishte një takim i rëndësishëm duke falënderuar Kryeministrin dhe Ministrit të Financave, si dhe pjesëmarrësit e tjerë, biznesit dhe na biseduam se çka ne mund të bëjmë dhe çfarë në mund të ofrojmë këtu në Kosovë. Këtu ne pamë një ndërlidhje, një bashkëpunim të mirë të strategjisë dhe asaj se çfarë ne mund të bëjmë këtu në Kosovë”, tha Scannapieco.

Ai theksoi se është biseduar për masat dhe për sektorin e energjisë dhe se BEI eshte afër Qeverisë së Kosovës në përpjekjet e saja për mbështetjen e investimeve të reja në projektet e mëdha infrastrukturore siç janë: autostrada, rrugë kombëtare dhe hekurudhat, si dhe për NVM-të që “shtylla kurrizore” e ekonomisë së vendit.

“BEI është gati të shoqërojë dhe mbështes këto investimeve në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të balancuar të Kosovës”, tha ai.

Samuel Zhbogar , përfaqësuesi i BE-së në Kosovë tha se Komisioni Evropian është i përkushtuar që të hartoj një plan konkret per tërheqjen e investitorët.

“Po ashtu duhet të shohim edhe sektorin publik, i cili do të krijojë mundësi për tërheqjen e investitorëve dhe t’iu mundësoj bizneseve lokale që të prosperojnë. Është një detyre sfiduese, por unë jam optimist që prezenca e fortë e BE-së këtu në Kosovë, si në të kaluarën do te jetë edhe në të ardhmen."

"Së bashku me miqtë tanë nga institucionet financiare siç është EIB-ja në do të vazhdojmë që ofrojmë ndihmën tonë sa i përket zhvillimit dhe zbatimit të projekteve që do të përmirësojnë jetën dhe standardin e jetesës këtu në Kosovë për njerëzit e Kosovës”, tha Zbogar.

Ai tha se UE do të kërkon nga Qeveria që ta kryejë pjesën e saj, sidomos sa i përket aspekteve teknike, që të luftojë në këtë mënyrë korrupsionin dhe informalitetin, dhe posaçërisht të ndihmojë në zbatimin e legjislacionit. 

“Siç thash edhe më parë ne jemi këtu që t’ju ofrojmë ndihmën tonë”, përfundoi Zbogar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)