Banka Ekonomike, nshpi të vet
Prishtinë, 30 maj - Kosova ka treguar se mund ta ruajë stabilitetin financiar në vend dhe kjo është arritur falë një koordinimi të përgjithshëm si të institucioneve financiare shtetërore, po ashtu edhe atyre private.
Padyshim se një rol të veçantë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës e kanë edhe bankat në Kosovë, një ndër to është edhe Banka Ekonomike, e cila që nga paslufta ka pasur një ritëm të zhvillimit dhe ngritjes dhe hapjes së mundësive të reja të bashkëpunimit me bizneseve dhe individëve.
Në një intervistë për gazetën Epoka e re, drejtori i përgjithshëm i Bankës Ekonomike, Ilir Aliu, ka deklaruar se kjo bankë që nga themelimi qëllim kryesor ka pasur të jetë sa më afër klientëve dhe qytetarëve të Kosovës dhe tua plotësojë atyre kërkesat. Ai ka premtuar se banka çdo ditë do të mundohet të krijojë leverdi për të gjithë ata që janë klientë dhe që ata të cilët do të bëhen klientë në të ardhmen.
Drejtori Aliu ka folur edhe për hapjen e selisë qendrore të Bankës Ekonomike në Hotelin Swiss Diamond dhe ka premtuar se Banka Ekonomike, për të qenë më afër qytetarëve, do të hapë edhe degë të tjera në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Epoka e re: Si e vlerësoni stabilitetin financiar në Kosovë?
Aliu: Kur në shtetet perëndimore është vërejtur kriza e madhe financiare, e cila ka pasur përmasa shumë të mëdha në shumë shtete, për fat të mirë në Kosovë nuk ka pasur efekt që do të kishte shumë ndikim dhe do të sillte pasoja negative për sistemin bankar dhe financiar në vend. Bankat e Kosovës nuk kanë pasur probleme sikur bankat e mëdha në vendet perëndimore, e kjo është një rrjedhojë e një sistemi financiar të shëndoshë që ka Kosova dhe që nuk është prekur nga kriza e euros dhe është mbajtur shumë mirë me të gjitha rregullat që i ka Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Me një fjalë, është arritur të kemi një stabilitet të qëndrueshëm financiar dhe bankar në vend sipas ligjeve që janë në fuqi në Kosovë. Kriza e përgjithshme që i ka prekur shumë vende, nuk e ka prekur Kosovën dhe kjo është një gjë shumë e mire që nuk ka reflektuar edhe në ekonominë e vendit.
Epoka e re: Si e vlerësoni perfomancën e Bankës Ekonomike që nga hapja?
Aliu: Banka Ekonomike është me kapital vendor. Aksionarë të kësaj banke janë kompani të suksesshme vendore, me eksperiencë ndërkombëtare dhe vendore. Kjo bankë ka treguar se është shumë afër klientëve dhe kjo është arritur falë përkushtimit të të gjithëve në bankë. Banka Ekonomike ka shënuar rritje të vazhdueshme në afarizmin e saj si bankë vendore, e cila deri më tani është treguar shumë e suksesshme. Qëllimi ynë kryesor është ta kultivojmë edhe më tutje besimin që kemi nga klientët tanë, si një bankë vendore me të cilën mund të bëhet një afarizëm i suksesshëm dhe në të cilën mund të mbështeteni. Ne kemi krijuar një besim te të gjithë klientët tanë që deponojnë mjete në bankën tonë. Kemi krijuar produkte të ndryshme shumë të leverdishme për individët dhe bizneset kosovare, të cilat kanë nevojë për ta zgjeruar biznesin e tyre në vend. Do ta vazhdojmë edhe më tutje ngritjen e besimit dhe të jemi të gatshëm. Ne si bankë jemi shtylla e zhvillimit ekonomik të Kosovës, sepse të gjithë kapitalin e riinvestojmë në vend, sepse jemi bankë vendore dhe nuk i nxjerrim paratë në vendet e jashtme.
Epoka e re: Kreditë e këqija?
Aliu: Banka Ekonomike ka një fleksibilitet dhe nuk kemi shumë klientë që nuk i kanë kryer obligimet që i kanë ndaj bankës. Banka ekonomike ka një portofolio shumë të mirë. Kemi bashkëpunim të mirë me bizneset. Ka raste të vogla të cilat nuk kanë efekt te Banka Ekonomike. Pra, me një fjalë, Banka Ekonomike ka klientë shumë besnikë, pasi kjo është arritur falë një koordinimi të gjithanshëm.
Epoka e re: Sa jeni të kënaqur me depozitat që i keni në bankë?
Aliu: Banka Ekonomike ka në një numër të depozitave. Jemi shumë të kënaqur me depozitat që i kanë bërë qytetarët e Kosovës në Bankën Ekonomike. Një pjesë e konsiderueshme e depozituesve janë edhe nga jashtë, kryesisht janë qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet e jashtme, e që kanë vendosur që kursimet e tyre ti ruajnë në Bankën Ekonomike. Ne do të vazhdojmë me ofertat e reja dhe u sigurojmë se depozitat i kanë të sigurta.
Epoka e re: Së fundi ka filluar edhe emetimi i letrave me vlerë, si e vlerësoni këtë?
Aliu: Emetimi i letrave me vlerë nga Qeveria e Kosovës është shumë me rëndësi për sistemin financiar, por edhe për zhvillimin ekonomik në përgjithësi të Kosovës. Deri më tani Banka Ekonomike ka marrë pjesë në ankandet të cilat i ka organizuar Ministria e Financave dhe prapë do të marrim pjesë. Në të dy raundet kemi arritur të fitojmë. E mirëpresim me pozitivizëm emetimin e letrave me vlerë dhe kjo është një dëshmi e mirë se sistemi financiar dhe bankar në vend është duke shkuar drejt ritmeve me zhvillime të mira.
Epoka e re: Sa e përkrah Banka Ekonomike bujqësinë në vend?
Aliu: Banka Ekonomike deri më tani e ka përkrahur shumë zhvillimin e biznesit në përgjithësi. Si bankë kemi një program të veçantë për zhvillimin e bujqësisë. Ajo çfarë duhet të bëjnë ata që merren me bujqësi dhe që dëshirojnë të bashkëpunojnë më Bankën Ekonomike është të vijnë në bankë dhe ta tregojnë qëllimin dhe programin që duan për të realizuar në fushën e bujqësisë dhe banka do ti përkrahë.
Epoka e re: Banka Ekonomike ka hapur së fundi edhe degë në qytetet e tjera?
Aliu: Banka Ekonomike është njëra ndër bankat e para të licencuara pas luftës në Kosovë. Banka është hapur më 28 maj 2001. Banka Ekonomike i hapi dyert për klientët e saj dhe nga ajo kohë banka ka operuar me sukses. Sot Banka Ekonomike ka një rrjet prej 49 zyrave bankare dhe mbulon gjithë territorin e Kosovës. Së fundi kemi hapur edhe degën në Kaçanik. Në të ardhmen të hapin edhe degë të tjera, që janë edhe në pjesët me rurale të vendit, por që janë shumë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e mundësive të reja për të bashkëpunuar. Së fundi kemi hapur edhe selinë qendrore të Bankës Ekonomike në Hotelin Swiss Diamond në Prishtinë, që është një objekt modern, i cili do të jetë në shërbim të klientëve. Banka Ekonomike do të vazhdojë me investime jo vetëm të natyrës infrastrukturore, por edhe në zhvillimin e produkteve të reja financiare, ofrimin e shërbimeve sa më të mira klientëve, mbi të gjitha do të vazhdojë të reflektojë stabilitet financiar.