Banka e Qipros doli nga faza e menaxhimit të jashtëm
Nikozia, 31 korrik - Banka e Qipros ka përfunduar plotësisht procesin e rikapitalizimit, duke konvertuar sot 47.5% të depozitave të pasiguruara në aksione.
Në të njëjtën kohë institucioni më i madh i kreditimit për ekonominë vendase i ka plotësuar kushtet e daljes nga faza e menaxhimit të jashtëm.
Kjo thuhet në deklaratën e përbashkët të Bankës Qendrore të Qipros dhe Ministrisë së Financave të vendit.
Në të theksohet se Banka Qendrore më vonë do të njoftojë Bankën e Qipros se kjo e fundit nuk është më nën kontroll të jashtëm dhe se përgjegjësinë për menaxhimin e çështjeve të saj do ti marrë përsipër një Bord i Përkohshëm Drejtues, i cili do të ushtrojë kompetencat e veta deri në thirrjen e mbledhjes vjetore të aksionerëve të bankës. Pritet që kjo mbledhje të zhvillohet para fundit të shtatorit.