Banka e Italisë i ofron mbështetje teknike BQK-së
Qëllimi i kësaj vizite ka qenë njohja nga afër me aranzhimin e përgjithshëm qeverisës (organet vendimmarrëse, llogaridhënia, transparenca) dhe planifikimin strategjik (procesi i përgatitjes, përgjegjësitë për zbatim, monitorimi i zbatimit) në Bankën e Italisë.
Njohja me këto aspekte të Bankës së Italisë është në funksion të identifikimit dhe vlerësimit të mundësive të zhvillimit të aspekteve përkatëse në BQK.
Gjatë vizitës z. Bedri Hamza është takuar me guvernatorin e Bankës së Italisë, Ignazio Visco, i cili i ka shprehur mirëseardhje dhe e ka njoftuar me veçoritë dhe zhvillimet e përgjithshme të Bankës së Italisë.
Guvernatori Ignazio Visco ka theksuar gatishmërinë e Bankës së Italisë për t'i ofruar mbështetje teknike BQK-së në zhvillim të kapaciteteve të saj dhe përafrim me standardet evropiane.
Guvernatori Bedri Hamza e ka falënderuar Guvernatorin Ignazio Visco për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka vlerësuar lart kontributin dhe gatishmërinë e Bankës së Italisë.
Në takimet me udhëheqësit e tjerë të lartë të Bankës së Italisë, Bedri Hamza bashkë me anëtarët e personelit që e shoqëruan gjatë vizitës diskutuan aranzhimet e përgjithshme qeverisëse të bankave qendrore si dhe praktikat më të mira të qeverisjes korporative në banka qendrore.
Po ashtu u trajtuan në hollësi parimet dhe proceset e planifikimit strategjik me theks të veçantë në efikasitet të përgatitjes, implementimit dhe përcjelljes përkatëse.
Bashkëpunimet e deritanishme me Bankën e Italisë përfshijnë programin e bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane, që përfundoi vitin e kaluar, me anë të të cilit u identifikuan dhe analizuan nevojat zhvillimore të BQK-së në disa fusha të veprimtarisë së saj me qëllim të përafrimit me standardet dhe praktikat e aplikuara nga bankat qendrore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Format e tjera të bashkëpunimit kanë përfshirë komunikimet lidhur me fusha të veçanta të veprimtarisë dhe pjesëmarrjet anëtarëve të personelit të BQK-së në programe trajnimi të Bankës së Italisë.
Në përfundim të takimit, Guvernatori Hamza ka falënderuar për mikpritjen, guvernatorin Visco dhe e ftoi atë që në një të ardhme të afërt të zhvillojë një vizitë në Bankën Qëndrore të Republikës së Kosovës .